Çfarë dihet për grupin që qëndron pas sulmeve kibernetike në Shqipëri?


E mërkurë, 14 Shtator 2022

TIRANE – Sulmet kibernetike ndaj Qeverisë së Shqipërisë janë të motivuara politikisht dhe prapa tyre qëndrojnë aktorë që janë të lidhur me Qeverinë e Iranit. Ky është rezultati i analizës së kompanisë amerikane Microsoft, më 8 shtator, e cila në mënyrë të detajuar ka analizuar sulmin ndaj serverëve shtetërorë në Shqipëri.

Gjatë sulmit kibernetik të regjistruar në 15 korrik, u pamundësua përdorimi i portalit e-Albania, që është portal shtetëror, i cili ofron një sërë shërbimesh digjitale, siç janë regjistrimi në shkollë, aplikimet për dokumente personale, regjistrimi i të drejtave të pronës dhe regjistrimi i të dhënave të biznesit. Për më tepër, sulmi përfshinte edhe rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme, të cilat u morën më herët nga serverët e shtetit, thuhet në analizën e Microsoft-it.

Shumica e këtyre të dhënave u botuan në faqen e internetit HomeLand Justice dhe në grupin me emër të njëjtë në aplikacionin Telegram.

HomeLand Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.

Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime, në të cilat grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj Qeverisë shqiptare.

Çfarë ndodhi në Shqipëri?
Portali shtetëror e-Albania ishte në shënjestrën e sulmeve kibernetike në mes të korrikut dhe nuk funksionoi për disa ditë.

Qeveria shqiptare e njoftoi publikun se bëhej fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar dhe të sinkronizuar nga jashtë. Njoftimin se prapa sulmit kibernetik qëndronte Qeveria iraniane e bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të shtatorit. Më pas, të dy vendet i shkëputën marrëdhëniet diplomatike.

Diplomatët iranianë u larguan nga Ambasada në Tiranë, më 8 shtator, ndërkaq paraprakisht dogjën letrat dhe dokumentacionin në ambientet e Ambasadës, njofton REL.

Etiketa: , ,
Të fundit