E mërkurë, 28 Janar 2026

Prej ditësh, dokumentari “Melania”, i konceptuar dhe prodhuar nga vetë Melania Trump, Zonja e Parë e SHBA-së, ka pushtuar hapësirat më të shtrenjta reklamuese në vend. Por fushata duket më shumë si një demonstrim force sesa një projekt filmik i qëndrueshëm.
Me një buxhet marramendës prej 40 milionë dollarësh dhe rreth 35 milionë të tjera për reklama, filmi pritet të sjellë më pak se 10 milionë dollarë të ardhura – një humbje e qartë financiare. Amazon, përmes MGM, e ka pranuar këtë, sepse qëllimi nuk është fitimi, por kënaqja e presidentit Donald Trump.
Dokumentari, i xhiruar pak para betimit të dytë të Trump si president, përfshin elementë nga autobiografia e Melania-s dhe u drejtua nga Brett Ratner, një figurë e diskredituar në Hollywood pas akuzave për ngacmim seksual. Përfshirja e tij nuk ishte zgjedhje e Amazon, por e familjes Trump, përmes këshilltarit Marc Beckman. Kjo e bën projektin të duket më shumë si një operacion politik dhe personal se sa artistik.
Amazon po shpenzon shuma të mëdha për ta bërë filmin të duket i rëndësishëm: tabela gjigante, reklama gjatë ndeshjeve të NFL-së, evente luksoze si premiera gala apo qiraja e arenës The Sphere në Las Vegas.
Megjithatë, gjithë kjo duket si një fasadë për të mbuluar mungesën e interesit real të publikut. Pas disa javësh, dokumentari do të kalojë në Prime Video, ku pritet të promovohet edhe një seri me tre pjesë për jetën e Melania-s – një tjetër përpjekje për të imponuar figurën e saj.
Operacioni ka shërbyer edhe si trampolinë për rehabilitimin e Ratner. Me mbështetjen e Trump, ai pritet të rikthehet me Rush Hour 4, megjithëse skeptikët e konsiderojnë projektin të paqëndrueshëm.
Saga e dikurshme e suksesshme nuk ka më audiencën e viteve 1990, ndërsa akuzat ndaj Ratner e bëjnë rikthimin e tij të diskutueshëm. Warner Bros. ka hequr dorë nga prodhimi, duke licencuar të drejtat që tani i zotëron Eagle Pictures, ndërsa Paramount ka pranuar ta shpërndajë filmin në SHBA falë lidhjeve politike.
Në thelb, “Melania” nuk është një dokumentar i zakonshëm, por një mjet propagandistik i kushtueshëm, që synon të forcojë imazhin e familjes Trump dhe të ringjallë karrierën e një regjisori të diskretituar. Publiku duket i painteresuar, ndërsa industria e sheh projektin si një investim politik dhe jo kulturor./tesheshi/
Burimi: tesheshi
