Çfarë fshihet vërtet nën akullin e përjetshëm të Antarktidës?


E martë, 27 Janar 2026
Çfarë fshihet vërtet nën akullin e përjetshëm të Antarktidës?

Një botë e panjohur dhe e fshehur shtrihet thellë nën kontinentin e ngrirë, ku një hartë e re topografike ka zbuluar male, lugina dhe kanione që deri më sot ishin thjesht hipoteza. Nën një shtresë akulli që arrin deri në 4 km trashësi, ky rindërtim i ri – i krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale – po ndriçon atë që dikur ishte vetëm një njollë e madhe e bardhë në modelet tona shkencore.

Deri më tani, paradoksalisht dinim më shumë për sipërfaqen e Marsit sesa për relievin që fshihet nën akullnajat e Antarktidës, por falë një ekipi ndërkombëtar shkencëtarësh të udhëhequr nga Helen Ockenden dhe Robert Bingham, peizazhi po shfaqet tashmë me një rezolucion të paparë.

Studimi i publikuar në revistën Science rindërton morfologjinë e nëntokës duke përdorur të dhëna satelitore të kombinuara me një analizë të lëvizjes dhe deformimit të akullit. Për herë të parë, shkencëtarët nuk po bazohen vetëm te radarët tradicionalë që shohin vetëm pika të caktuara, por po vëzhgojnë se si rrjedh e gjithë masa e akullit në sipërfaqe për të deduktuar format shkëmbore poshtë saj – një proces i ngjashëm me studimin e rrjedhës së një lumi për të kuptuar shkëmbinjtë në fund të tij.

Kjo metodë ka zbuluar mijëra kodra dhe kreshta të papara më parë, me gjerësi që variojnë nga 2 deri në 30 km. Ndër zbulimet më mbresëlënëse është një kanal gjigant nën akullnajë, rreth 400 km i gjatë dhe 6 km i gjerë, që përshkon pellgun Maud.

Këto formacione nuk janë thjesht kuriozitete gjeografike, por kanë një rëndësi jetike për shkencën e klimës, pasi forma e tokës nën akull përcakton se sa shpejt mund të rrëshqasin akullnajat drejt detit si pasojë e ngrohjes globale. Kreshtat mund të veprojnë si frena natyrale, ndërsa luginat e thella mund të përshpejtojnë humbjen e masës së akullit.

Një kuptim më i saktë i këtij “barku shkëmbor”, do të thotë modele më të besueshme për parashikimin e rritjes së nivelit të detit në shekujt e ardhshëm. Edhe pse kjo hartë bazohet në modele matematikorë dhe mbart pasiguri, ajo përfaqëson pamjen më të detajuar të marrë ndonjëherë të Antarktidës “natyrale”, duke ofruar një bazë të fortë për kërkimet e ardhshme mbi mbijetesën e ekosistemeve tona oqeanike./tesheshi/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit