Champions League, të gjithë më sytë nga Madridi


E martë, 22 Prill 2014

Të gjithë janë më sytë nga Madridi, pasi sot dhe nesër dy klubet më të mëdha të kryeqytetit spanjoll, Atletico dhe Real, do të presin respektivisht Chelsea-n dhe Bayern Munchen, në takimet e para të gjysmëfinaleve të Champions League, për këtë sezon. Supersfida Atletico Madrid- Chelsea do të startojë sonte në mbrëmje. Trajneri i skuadrës londineze Jose Mourinho e njeh mirë këtë skuadër, pasi është përballur me të 9 herë gjatë kohës kur ishte trajneri i Realit.

Edhe pse ka fituar 8 ndeshje dhe është mundur vetëm një herë, portugezi ka vlerësuar në maksimum skuadrën e Atletico-s, e cila nën drejtimin e Simeones është shumë pranë titullit në La Liga. Spanjollët janë ekipi i vetëm që nuk kanë asnjë humbje gjatë këtij sezoni në fushën e tyre, ndërkohë që në këtë raund ata erdhën duke mundur Milanin dhe Barcelonën e Messi-t.

E ndërsa nuk përbën aspak surprizë të shohësh kampionët në fuqi të Europës, Bayern-in, të arrijë deri në këtë fazë të këtij kompeticioni, së bashku me 9 herë fituesit e Realit dhe Chelsea-n, fituesit e fundit anglezë të këtij trofeu, vetëm pak vetë mund të kishin parashikuar Atletico-n të shkonte kaq larg, 40 vjet pas prezencës së parë dhe të vetme në finale të Ligës së Kampionëve.

Përballjet direkte

Chelsea dhe Atletico janë përballur vetëm 2 herë në këtë kompeticion, në fazën e grupeve gjatë sezonit 2009-10, teksa “blutë” e Londrës fituan 4-0 në shtëpi dhe barazuan 2-2 në Madrid. Vetëm 1 finale ka zhvilluar Atletico në kupat europiane. Performanca e vetme daton në Maj 1974 kundër Bayern Munchen, me të cilët barazuan 1-1 ndeshjen e parë (me kohë shtesë) dhe gjermanët fituan 4-0 në ndeshjen përsëritëse.

Dy lojtarë të Chelsea-t, Frank Lampard dhe John Terry, do të barazojnë rekordin britanik të Ryan Giggs prej 7 ndeshjesh gjysmëfinale të zhvilluara në Champions League, nëse do të luajnë ditën e martë.

Etiketa: , ,