Cilin subjekt politik e përkrah SHBA-ja në Kosovë?


E enjte, 15 Maj 2014

Prishtinë – Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, thotë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë janë të rëndësishme, pasi ato organizohen në tërë territorin e vendit. Ajo tha se SHBA-ja nuk e mbështet asnjë kandidat ose subjekt në veçanti. “Nëse dikush thërret të votohet për të, sepse ai ka mbështetjen e SHBA-së, ky është një trillim”, ka thënë Jacobson në një intervistë për RTK.

Ambasadorja Jacobson, paraprakisht ka dënuar çdo tentativë për vjedhje ose mashtrim gjatë procesit të votimit, duke thënë se do të jenë të papranueshme për SHBA-në.

Ajo theksoi se gjatë zgjedhjeve të kaluara nacionale vjedhjet nuk kanë ndodhur mes subjekteve politike, por mes kandidatëve të së njëjtës parti.

Duke folur për pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe qëndrimin politik të tyre në raport me pavarësinë e Kosovës, si në rastin e Listës Serbe, ambasadorja e SHBA-së tha se çdo kandidat që do të fitojë do të ulet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të japë betimin që do t`i referohet Kushtetutës së Kosovës.

Prandaj, sipas Jacobsonit, është e qartë se këto zgjedhje kanë të bëjnë me një vend të pavarur.

Lidhur me preferencat eventuale të Ambasadës Amerikane për kandidatë ose subjekt të caktuar, ambasadorja Jacobson tha se SHBA-ja nuk e mbështet asnjë kandidat ose subjekt në veçanti. “Nëse dikush thërret të votohet për të, sepse ai ka mbështetjen e SHBA-së, ky është një trillim”, tha Jacobson. /rtk/

Etiketa: , ,
Të fundit