Çmim Nobel për Kurtin e Vuçiqin nëse ka marrëveshje


E enjte, 25 Gusht 2022

PRISHTINË – Nëse do të arrihej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund armiqësive shumëvjeçare, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të mund të kualifikoheshin për Çmimin Nobel të Paqes.

Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në një intervistë për BBC-në në edicionin serbisht.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë për këtë gjë.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai, kur është pyetur nga mediumi.

BBC shkruan se e njëjta gjë shpresohej edhe në vitin 2018, kur negocionin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel.

Ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ajo që kishte spekuluar se Thaçi e Vuçiq mund të merrnin Çminin Nobel për Paqe në rast të një marrëvëshjeje të suksesshëm.

Përpjekjet për marrëveshje përfundimtare vazhdojnë edhe tani, pas 4 viteve, mirëpo siç shkruan BBC, shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë përveç rolit të Vuçiqit: bisedimet për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë janë hedhur poshtë, Hashim Thaçi mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, Federica Mogherini është larg dialogut dhe administrata Trump në SHBA ka rënë nga pushteti, shkruan Express.

Etiketa: , , ,