Çmimi i naftës bie në 59 dollarë për fuçi


E martë, 16 Dhjetor 2014

Vijon rënia e çmimit të naftës në bursën e Nju-Jorkut, duke shënuar nivelin e 59 dollarëve për fuçi, për herë të parë prej pesë vitesh. Rënia vjen për shkak të statistikave që tregojnë një ulje të kërkesës globale për naftë.

Shtimi i lajmeve negative për çmimin që ka prekur tregun e energjisë, rishikimi në rënie i konsumit botëror të naftës, vendimi i marrë nga OPEC-u për të mos ndryshuar sasinë e prodhimit të naftës, janë disa nga faktorët që po ndikojnë në këtë rënie të ndjeshme të çmimit të arit të zi në të gjithë botën.

OPEC, një organizatë e përbërë nga 12 vende që prodhojnë një të tretën e naftës në botë, parashikon një kërkesë prej 1.12 milionë fuçi në ditë për vitin 2015 kundrejt një kërkese prej 1.19 milion fuçi në ditë.

Pse rënia e çmimit të naftës është e rrezikshme?

Ulja e çmimit të naftës është diçka e mirë për disa vende, por jo për disa të tjera. Mirëpo janë disa ekonomi të varura nga nafta, ku gjërat mund të bëhen vërtet serioze. Çmimet arritën të martën nivelin më të ulët, pas refuzimit nga OPEC për uljen e prodhimit të naftës, pavarësisht frikërave për uljen e çmimit. Që prej kulmimit të çmimeve këtë verë me 100 dollarë, ato janë ulur me më tepër se 40 për qind.

Venezuela është një nga vendet më të kërcënuara nga problemet civile që mund të shkaktohen nga ulja e çmimit të naftës. Kombi latino-amerikan ka filluar të përjetojë trazira këtë vit, siç ishte rasti i protestave në Caracas në shkurt. Ndërsa konsumatorët e naftës, nga motoristët deri tek ekonomitë e uritura për energji, si ajo kineze dhe amerikane, po e shijojnë rënien e çmimeve. Nga ana tjetër, prodhuesit po përballen me një humbje të shpejtë të fitimeve në miliarda.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), “rëniet e vazhdueshme në çmime do ta përkeqësonin situatën për disa vende dhe kompani”, pasi “presioni për uljen e çmimeve do të rriste rrezikun për destabilitet social ose vështirësi financiare nëse prodhuesit do ta kishin të vështirë për të paguar borxhin”.

Ndërkohë, IEA ka përcaktuar Rusinë dhe Venezuelën si eksportuesit më të mëdhenj të naftës, të cilat përballen me risqet më të mëdha politike dhe sociale. Kjo pasi, në Venezuelë, rezervat e mëdha të naftës gjenerojnë gjysmën e të ardhurave qeveritare dhe kanë ndihmuar në përshpejtimin e programeve sociale, që tani janë në risk të zgjatur për shkak të uljes së çmimit të naftës. Ndërsa në Rusi, ekonomia po rimëkëmbet nga seria e sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe BE, për shkak të ndërhyrjes ruse në krizën e Ukrainës.

Etiketa:

Leave a Reply