Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Çollaku i sigurt për liberalizimin e vizave në 2016

Prizren Post | 20:34 - 19.11.2015

Prishtinë – Ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, është shumë i sigurt se qytetarët e Kosovës do ta marrin Liberalizimin e Vizave nga Bashkimi Europian në vitin 2016.

Ai po qëndron në Bruksel së bashku me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçin, dhe atje është takuar me Presidentin e Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme Dimitris Avramopulos, e pas këtij takimi ai thotë se tani më mund të thuhet se është e konfirmuar se kosovarët do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

“Edhe sot vazhduam me takime të rëndësishme të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve të BE-së në Bruksel. Ishte kënaqësi të takohemi dhe bisedojmë në takime të ndara me Presidentin e Komisionit Evropian z.Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme z.Dimitris Avramopulos”.

“Diskutuam për të gjitha çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët duke përfshirë zhvillimet aktuale në BE, situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Natyrisht, temë kryesore e takimeve ishte diskutimi dhe dakordimi lidhur me hapat e fundit procedural të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave”.
“Ndihem i inkurajuar nga mbështetja e ofruar dhe konfirmimi se jemi në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave. Pas këtyre takimeve ndihem shumë më tepër i sigurt se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016. Ky është një sukses tjetër krejtësisht i merituar”, ka shkruar Çollaku në Facebook.


Etiketa:
Arivisti Company