E martë, 18 Gusht 2015
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shprehen optimistë se qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm do mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Shengen.
Ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, tha për REL se procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian është proces i dyanshëm, përderisa përgjegjësia e përmbushjes së kritereve është mbi institucionet e vendit.
Ai tha po ashtu se është përgjegjësi edhe e Komisionit Evropian të vlerësojë nëse kriteret janë përmbushur mjaftueshëm për të rekomanduar liberalizimin e vizave.
“Pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë se në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen, dhe kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen tonë se kemi arritur të përmbushim kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna jonë serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ministri Çollaku.
Ai është shprehur po ashtu se “për institucionet e Kosovës ka qenë e rëndësishme ndërmarrja e reformave dhe zbatimi i kritereve”.
Kjo qasje, sipas ministrit Çollaku, ka dhënë rezultate pasi që ekspertët të cilët ishin në Kosovë gjatë muajit korrik në kuadër të misionit fakt-mbledhës, kanë konstatuar përparim në të gjitha kriteret e kërkuara. “Me të drejtë presim përmbylljen e dialogut me një rekomandim për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, brenda këtij viti”, është shprehur ministri Çollaku.
Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), lidhur me këtë çështje, tha se raporti i radhës nga ana e Komisionit Evropian për vlerësimin e kritereve në krahasim me dy raportet e mëhershme do të jetë më pozitiv, por, sipas tij, në këtë raport nuk pritet që të ketë rekomandim për heqjen e vizave.
“Kjo nënkupton që nëse ky raport nuk e bën këtë rekomandim, atëherë i bie që do të ketë një mision edhe gjatë vitit 2016 dhe tek atëherë komisioni mund të bëjë rekomandimin për heqjen e vizave. Ky rekomandim nuk mund të bëhet derisa nuk ka një gatishmëri që rekomandimi i tillë do të aprovohet në këshill (Këshillin Evropian). Skenari më optimist i mundshëm që unë e shoh për këtë vendim është dhjetori i vitit 2016. Por, zbatimi i vendimit mund të kalojë edhe në vitin 2017. Kjo do të varet shumë nga trendi i azilkërkuesve dhe zbatimi i kritereve të mbetura në udhërrëfyes”, tha Curri.
Kriteret që duhet plotësuar Kosova për liberalizim vizash, disa herë janë përmendur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Raporti i fundit, si shqetësim kryesor ka veçuar nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, ndikimin politik në institucione të pavarura, ndërhyrjet në gjyqësor, mungesën e reformës së administratës publike, e të tjera.
Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion “Evropa e Lirë” thotë se “Kosova ka plotësuar shumë nga kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe se, sipas tij, qytetarët e Kosovës mund të ndodhë që në vitin 2016 të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Shengen”.
Megjithatë, ai konsideron se në këtë drejtim për Kosovën mbesin problemet politike.
“Kur të vijë puna për vendimmarrje për Kosovën situata është më komplekse. Më komplekse për shkakun se Kosovën nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian”. REL
Etiketa: Bekim Çollaku, Liberalizimi, Qeveria