Dacic sërish kërkon këmbim territoresh


E shtunë, 21 Shtator 2013

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Kosova është një territor i veçantë, por jo edhe shtet i pavarur. Ai ka thënë se vetëm këmbimi i territoreve do të siguronte paqe të qëndrueshme në rajon.

“Ne pranojmë se Kosova është territor i veçantë, por jo se është shtet i pavarur”, ka thënë Dacic, në një intervistë për televizionin e Podgoricës “Atlas”, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.

Kryeministri serb ka thënë se Serbia dëshiron të marrë pjesë në rregullimin e jetës në atë “territor te veçantë”.

Dacic ka thënë se formulimi i tij “serbët e Thaçit”ka bëjë me ata serbë që janë në pushtetin e Kosovës, por që nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur interesat e serbëve.

Ai gjithastu ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk janë armiq.

“Unë nuk jam armik me Thaçin. Ai është kundërshtari i imi “, tha Dacic.

I pyetur për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kryeministri serb ka thënë se ajo nuk mund të krahasohet me Kosovën.

Dacic ka thënë se statusi i tanishëm i Kosovës është “një zgjidhje e përkohshme”.

Sipas tij, shqiptarët duan të blejnë territore edhe në shtetet e tjera, në të cilat janë popullsi shumicë

Në këtë kontekst ai ka përmendur “këmbimin e territoreve, si zgjidhje e përhershme” në këtë pjesë ë rajonit.

“Këmbim territoresh, për paqe të përhershme”, ka thënë Dacic.