Dakordimi me BE-në do të vendosë barazi në dialogun Kosovë-Serbi


E mërkurë, 12 Korrik 2023

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.

“Të dyja palët [Kosova dhe Serbia] duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri kosovar.

Kurti, që nga vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ka thënë vazhdimisht se ato janë të padrejta dhe se e bëjnë dialogun asimetrik.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) – propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Duke listuar pikat për të cilat është rënë dakord në Bratisllavë, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, kryeministri kosovar në mbledhjen e Qeverisë tha se ky dakordim synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjës së Ohrit, të arritur në mars të këtij viti, dhe përsëriti se ajo marrëveshje duhet të zbatohet plotësisht.

“Të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe”, tha Kurti, dhe shtoi se “zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.

Kryeministri i Kosovës, duke iu referuar organizimit të zgjedheve të reja në veri të vendit, tha se qeveria e tij e ka me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet, “por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votes”.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e komentoi marrëveshjen e arritur më 10 korrik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, por foli për kërkesat që komuniteti ndërkombëtar i ka vendosur përpara Beogradit dhe Prishtinës, për uljen e tensioneve./REL

Etiketa: , , ,
Të fundit