Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

“Datagate”, Microsoft ndihmoi NSA-në

Prizren Post | 13:44 - 12.07.2013

Microsoft duket se ka bashkëpunuar me inteligjencën amerikane, për të bërë të mundur, që bisedimet mes përdoruesve të mund të përgjohen. NSA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, ka qenë ndihmësi për të shmangur mbrojtjen e vet sistemit të Microsoft.

Ky është rezultati më i fundit i zbuluar nga dokumentet e reja të ofruara nga Edward Snowden, për të cilat shkruan “The Guardian”. Edhe Skype, i blerë nga Microsoft në tetor 2011, ka bashkëpunuar me sistemin e survejimit “Prism”.

E përditshmja britanike shkruan sërish në faqen e internetit, se dokumentet e dorëzuara nga Snowden ilustrojnë nivelin e bashkëpunimit mes “Silicon Valley” dhe agjencive të inteligjencës, gjatë 3 viteve të fundit, veç detajeve të tjera ndihmëse mbi funksionimin e sistemit “Prism”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Microsoft, i cili ka mohuar akuzat nëpërmjet një letre të nisur “The Guardian”. Kompania nuk ofron asnjë akses të drejtpërdrejtë në asnjë nga produktet e saj, bën të ditur shoqëria.

“Kemi parime të qarta, të cilat udhëheqin përgjigjet tona ndaj kërkesave të qeverisë, për informacione mbi konsumatorët tanë”, saktëson Microsoft, duke shtuar se ata i marrin me seriozitet impenjimet ndaj klientëve, por edhe respektimin e ligjeve. / Top Channel


Etiketa:
Arivisti Company