Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

De Biazi: Kualifikimi, i mundur. Luajmë për dy fitore

Prizren Post | 13:17 - 09.09.2015

Tiranë – Tekniku i Kombëtares, Gianni De Biasi beson te shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Evropian, megjithë ndëshkimin e pësuar në sekondat e fundit në “Elbasan Arena”.

Pas ndeshjes me Portugalinë, tekniku kuqezi ka udhëtuar drejt Italisë, ku ditën e djeshme ka firmosur një kontratë në rolin e opinionistit te “RAI”, në programin sportiv “Novantesimo Minuto”. Italiani me pasaportë shqiptare nuk e ka humbur rastin për të folur për “të dashurën” shqiptare, Kombëtaren kuqezi, në krye të së cilës qëndron prej fundit të vitit 2011. Nga stoli i opinionistit, De Biazi shpalosi objektivat për dy sfidat e fundit kualifikuese në Grupin I, ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”, më 8 tetor dhe ndaj Armenisë, në Jerevan, më 11 tetor.

“Së fundi luajtëm kundër Portugalisë, e cila na shkaktoi humbjen e parë në këto eliminatore. Ky kundërshtar elitar në Europë na krijoi vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona të shënonim. Dihet se çfarë përfaqëson Portugalia në futbollin europian, duket qartë në vendin që mban edhe në renditjen e FIFA-s. Humbëm prej një goli në kohën shtesë, prej një shpërqendrimi të vetëm, ndaj jam i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra ime. Futbolli është sporti më i bukur, por, gjithashtu, mund të jetë i vrazhdë. Për Shqipërinë ishte i bukur deri në minutën e 90-të ndaj Portugalisë, u tregua i pamëshirshëm e fatal në kohën shtesë. Megjithatë, gjëra të tilla ndodhin në futboll, me rëndësi është që të mësojmë nga kësi gabimesh. Kualifikimi ynë për në finalet e Kampionatit Europian, që zhvillohet në Francë vitin e ardhshëm, është akoma i mundur. Kemi edhe dy ndeshje kualifikuese për të luajtur, të cilat duhet t’i fitojmë. Vetëm kështu kemi gjithçka në dorën tonë, ndryshe gjërat janë ndërlikuar disi pas humbjes me portugezët,” u shpreh De Biasi.

Gjatë prezantimit në programin sportiv për Serinë A, e cila ndiqet me mjaft interes të madh edhe në Shqipëri, ku do të jetë përkrah emrave të njohur të futbollit italian, si Cesare Prandelli dhe Alberto Malesani, trajneri i Shqipërisë analizoi sfidat e fundit kualifikuese në grup të kuqezinjve. “Po ta shohësh në letër, konstatimi i parë është se luajmë përballë dy ekipeve jashtë gare, jashtë çdolloj objektivi në këto kualifikuese. Mirëpo, me serbët bëhet fjalë për më shumë se një ndeshje futbolli. Sikurse e dini, ekzistojnë këto problemet mes dy tifozërive, çka prodhoi edhe ndërprerjen e ndeshjes së parë në Beograd, tetorin e vitit të kaluar. Duke e parë vetëm në këtë drejtim, pa llogaritur individualitetet e potencialin mjaft cilësor që mbart grupi i lojtarëve të Serbisë, ndeshja me ta do të jetë shumë e vështirë. Uroj shumë që t’i mbyllim sa më mirë këto kualifikuese, sepse jemi paraqitur shkëlqyeshëm. Kemi luajtur më mirë edhe se Danimarka, që është rivali ynë direkt për vendin e dytë në shkuarjen drejt Europianit të Francës”, tha tekniku De Biazi, raporton “SuperSport”.


Etiketa:
Arivisti Company