Demaçi: FARK rrasi paratë e Bukoshit dhe trodhi miza


E enjte, 10 Prill 2014

Adem Demaçi e ka konfirmuar se ekziston Marrëveshja e Oslos e arritur me Ahmet Krasniqin për ta ndihmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, Demaçi ka thënë se s’ka pasur kurrfarë marrëveshje për FARK-un.

“Mbledhja e Oslos ekziston. Mbledhja e Oslos është mbajtur me qëllim për ta ndihmar UÇK-së dhe Qeveria e Bukoshit me dhanë parë dhe bashkërisht me ndihmue kryengritja e cila është zhvilluar në Kosovë nën udhëheqjen e UÇK-së”, ka thënë Demaçi.

Krahu politik i Ibrahim Rugovës i përfaqësuar nga Bujar Bukoshi dhe zyrtarë të tjerë të LDK’së kanë insistuar se Marrëveshja e Oslos ishte bërë për t’i vënë nën UÇK-në nën komandën e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndërsa, krahu u luftës, të cilin e kishte përfaqësuar Adem Demaçi japin një version tjetër se në Oslo ishin marrë vesh për ta ndihmuar luftën e UÇK-së dhe se aty s’ishte diskutuar për FARK-un.

Megjithëkëtë, para katër ditësh, Xhavit Haliti, në Kuvendin e Kosovës ka thënë se s’ka ekzistuar asnjëherë marrëveshje e Oslos dhe se s’ka pasur kurrfarë FARK-u në luftë.Pas kësaj deklarate, Anton Quni i LDK-së tha se ka ekzistuar edhe Marrëveshja e Oslos, edhe FARK-u i udhëhequr nga Ahmet Krasniqi, i cili ishte vrarë në shtator të vitit 1998 në Tiranë.

Quni tha se për Oslon duhet të flasë Adem Demaçi, i cili thotë se s’ka asgjë të shkruar nga ajo marrëveshje përveç asaj që janë pajtuar për ta ndihmuar UÇK-në.

“Kur kemi biseduar ne fjala ka qenë vetëm për me ndihmue UÇK-në. Për FARK e për “Ç’FARK” nuk është bërë fjalë hiq. S’ka ekzistuar hiq FARK-u”, ka thënë Demaçi.

“Krejt këto konstruksione që po i bëjnë për FARK-un janë dëshira që atyre që kanë rrasë paratë e Bukoshit dhe kanë tredhur miza në perëndim. Janë vonuar. Ndoshta kanë mendime të mira ata por janë vonuar”. Sipas Demaçit, Bujar Bukoshi pasi ka dështuar për ta kontrolluar UÇK-në bashkë me disa të tjerë kanë tentuar të themelojnë FARK-un./lajmi/

Etiketa:
Të fundit