E martë, 13 Gusht 2019
Pas ankesave të qytetarëve për zhurmën e krijuar brenda Qendrës Historike të Prizrenit, inspektorët komunalë mbrëmë kanë dalur në terren për ta inspektuar gjendjen.
Me këtë rast, në lokalin afarist që gjendet në rrugën “Marin Barleti” me anë të pajisjeve për matje të zhurmës është evidentuar se zëri i muzikës arrin deri në 120 dB (decibel) (volumi momental 108.7 dB), që bie në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1.3, të ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, i cili nivelin e muzikës brenda Qendrës Historike e kufizon me volum deri në 70 dB, njofton Komuna e Prizrenit.
Si rrjedhojë, lokalit afarist i është shqiptuar gjoba mandatore sipas ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi dhe i është tërhequr vërejtja për mospërsëritje të shkeljes së njëjtë.
Etiketa: Drejtoria e Inspektorateve, Prizren, Qendra Historike e Prizrenit