Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Derbi i parë kosovar në gara ndërkombëtare

Prizren Post | 18:31 - 27.11.2013

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë, 27 nëntor – Basketbollistët e Pejës ka tri xhiro që e kërkojnë fitoren e parë në Ligën Ballkanike. Të mërkurën do të luajnë dhe ndeshjen e katërt në këtë garë, por, sipas trajnerit të saj, Danijel Lutz, kësaj here nuk është rasti i duhur për të kërkuar fitoren.

Sigal Prishtina dhe Peja përballen të mërkurën (sot, 17:30) në ndeshjen e xhiros së pestë të Ligës Ballkanike dhe për të parën herë në një ngjarje ndërkombëtare. Ndeshja luhet në Prishtinë.

Aktualisht Sigal Prishtina është e treta në BIBL me shtatë pikë nga katër ndeshje, kurse Peja renditet e fundit me vetëm tri pikë pas tri ndeshjeve. Në një xhiro kampionia e Kosovës ishte e lirë, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

“Sigal Prishtina nuk është rasti ideal për të kërkuar fitoren e parë në Ligën Ballkanike, pasi po luajnë shumë mirë dhe kanë një siguri të madhe. Megjithatë, ne në çdo ndeshje te BIBL e kërkojmë rastin për fitore, edhe pse tri ndeshjet i humbëm në mungesë të fatit”, ka thënë të martën kroati Lutz.

Lutz thotë se si Peja ashtu edhe Sigal Prishtina e njohin mirë njëra-tjetrën, kështu që nuk ka nevojë për një motivim shtesë të basketbollistëve. Kjo do të jetë përballja e tretë mes Sigal Prishtinës dhe Pejës këtë edicion, ndërsa e para në kuadër të Ligës Ballkanike. Sigal Prishtina e pati mposhtur Pejën në ndeshjen e Superkupës, si dhe në atë të ETC Superligës. Këto dy ekipe, do të përballen edhe të dielën në palestrën “Karagaçi” në kuadër të kampionatit.

“Do të luajmë një lojë të fortë, pasi edhe Prishtina i ka pikët e dobëta dhe ne e dijmë ku duhet ta sulmojmë”, tha Lutz, i cili në këtë ndeshje nuk do të llogarit në Mirza Ahmetbashiqin e Vedran Moroviqin. Ahmetbashiq e Moroviq janë liruar nga klubi pejan.

“Natyrisht se do të jetë mungesë e madhe, pasi Ahmetbashiq dhe Moroviq janë lojtarë shumë cilësorë. Por, kemi lojtarët tjerë që janë të mirë dhe nëse aplikojnë lojën që kërkohet, atëherë mund të fitojmë”.

Për kapitenin e Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, mungesa e Ahmetbashiqit dhe Moroviqit do të jetë një përparësi e madhe. Sipas tij, Prishtina nuk ka alternativë tjetër pos fitores.

“Do të jetë një përparësi, gjithsesi ne do të dalim për fitore, sido që të jetë situata. Çdo ndeshje me Pejën është një derbi i vërtetë dhe jemi të përqendruar të japim maksimumin para publikut tonë”, tha Azemi.

Trajneri Ceyhun Cabadak ndërkohë thotë se Sigal Prishtina duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet si vendase në kuadër të Ligës Ballkanike, për të qenë në pozitë që në fund të luftojë për kreun e renditjes. Sipas tij, Peja ka një ekip të fortë dhe nuk ka pasur shumë fat deri më tash në BIBL.

“Është fakt që Peja nuk e ka fituar asnjë lojë në BIBL, por kishte një orar mjaft të vështirë”, tha Cabadak. “Megjithatë, ne nuk na interesojnë rezultatet e tyre dhe jemi të fokusuar në këtë ndeshje që e zhvillojmë në shtëpi. Synimi ynë është që mos të humbin asnjë lojë në shtëpi”./KOHA Ditore/


Bëni një koment

Arivisti Company