Dhjetëra të vdekur nga sulmet ajrore në Halep


E enjte, 17 Nëntor 2016

halepp

Halep – Rritet në 94 numri i personave që kanë humbur jetën, dhe në 150 numri i personave të plagosur gjatë sulmeve ajrore të cilat janë kryer gjatë 48 orëve të fundit në lagjet nën kontrollin e opozitarëve në Halep, në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency.

Necip Ensari, një nga zyrtarët e mbrojtjes civile në Halep në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se “Është rritur në 94 numri i personave që kanë humbur jetën, dhe në 150 numri i personave të plagosur gjatë sulmeve ajrore të cilat janë kryer nga avionët luftarakë të regjimit dhe të Rusisë gjatë 48 orëve të fundit në lagjet nën kontrollin e opozitarëve në lindje të Halepit.”

Ensari ka theksuar gjithashtu se edhe rajoni Urum Kubra në jugperëndim të Halepit këtë mëngjes ka qenë në objektiv të sulmeve, ku si pasojë kanë humbur jetën 5 civilë.

Duke u shprehur se ka nevojë emergjente për produkte mjekësore në spitalet që ndodhen në rajonet nën kontrollin e opozitarëve në Halep, Ensaro ka shtuar se “Avionët luftarakë të regjimit dhe ato rusë sulmojnë me bomba vakum, thërrmuese dhe fuçi. Që prej dy ditësh situata njerëzore është shumë keq. Në disa lagje furrat nuk kanë punuar. Popullata ka vështirësi për të gjetur bukë.”

Në lindje të qendrës së Halepit që prej 4 shtatorit ndodhen nën rrethimin e forcave të regjimit 340 mijë civilë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara një ditë më parë ka dënuar sulmet ajrore në rritje në Halep dhe ka bërë thirrje për armëpushim. Ndërsa Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, që votoi kundër qëndrimit të OKB-së pretendon se avionët rusë që prej 28 ditësh nuk fluturojnë mbi Halep.

Shpërthim i një autobombe në Azez

Sipas informacioneve të marra nga burime lokale, mësohet se një autobombë ka shpërthyer në afërsi të një depoje municionesh e cila i përkiste grupit Nureddin ez-Zenki, grup ky që është pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS). Depoja ndodhet në qytezën Azez, në rajonin kufitar mes Sirisë dhe Turqisë.

Si pasojë e shpërthimit të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ndërkohë një pjesë e personave të plagosur rëndë janë dërguar në spitalet e Turqisë.