Dhjetori, përcaktues për liberalizimin e vizave


E hënë, 21 Nëntor 2016

bajrami

Prishtinë – Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka theksuar për Telegrafin se data e fundit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, është muaji dhjetor.

Sipas tij, nëse deri në dhjetor nuk kalon demarkacioni, rrezikohet liberalizimi i vizave edhe vitin që po vjen.

“Vitin 2017 shumë vende të Bashkimit Evropian (BE) do të hyjnë në ciklin zgjedhor dhe kështu mund të humbas vëmendje ndaj Kosovës. Andaj dhjetori është momenti i fundit kur do të mund të bëjmë diçka për këtë çështje”, ka shtuar ai.

I pyetur se a kanë arritur t’i sigurojnë votat e nevojshme që ta kalojnë demarkacionin në Kuvend, Gecaj ka thënë se “ende nuk i kemi 80 vota”.

“Kur t’i kemi votat do ta dërgojmë për votim. Nëse do të ndryshonte qëndrimi opozitës ose eventualisht do të rikthehej Lista Serbe në Kuvend, do të ndryshonte situate. Ne duhet ta pranojmë se kemi edhe disa zëra kundërshtues për këtë marrëveshje edhe brenda deputetëve të koalicionit qeverisës”, ka theksuar ai.

Qysh nga 1 shtatori, – kur kishte dështuar seancën në të cilin pritej votimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, nuk është dërguar kjo temë për votim.

Krejt kjo vonesë ka ndodhur për shkak të mungesës së 80 votave, të cilat nuk po arrin që t’i sigurojë assesi pushteti aktual.

Kushtëzimi i liberalizimit të vizave është përmendur disa herë edhe nga zyrtarët e BE-së, por asnjëherë nuk është thënë decidivisht një gjë e tillë.

Kosovarët për dallim nga qytetarët e vendeve fqinje ende nuk e gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në zonën Shchengen.

Njëra prej kërkesave kryesore që Kosova ta ketë liberalizimin e vizave ka qenë edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shpresat, që fillimisht në qershor e më pastaj në shtator, kosovarët do të lëvizin lirshëm në zonën Shchengen, nuk rezultuan pozitive, duke bërë që edhe 2016 të mos jetë vit i liberalizimit të vizave.

Javë më parë Ukraina dhe Gjeorgjia e morën dritën e gjelbër për vizat, duke e lënë Kosovën prapa në këtë drejtim. /Telegrafi/