E hënë, 29 Gusht 2022
PRISHTINE – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë u bëri thirrje krerëve opozitarë për tu takuar dhe për t’i informuar ata për takimin e fundit që pati në Bruksel për çështjen e dialogut.
Kurti deklaroi se dallimet e mospajtimet politike që kanë mes vete pozitë e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror.
Ndonëse opozita deklaroi se nuk kanë pranuar ende ftesë për takim, nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se ftesat tashmë u janë dërguar.
“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht”, ka thënë për Telegrafin, Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë.
Kryeziu ka bërë të ditur gjithashtu se Kurti i ka ftuar partitë opozitarë që të takohen nesër.
“Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, tha zëdhënësi i Qeverisë.
Dje nga partitë opozitare deklaruan se nuk kanë pranuar ende ftesa për takim dhe se në momentin e pranimit të ftesës do të shqyrtojnë edhe pjesëmarrjen.
Nga AAK-ja dje deklaruan se nuk kanë pranuar ftesë për takim.
Etiketa: Albin Kurti, Dialogu, Kosovë, Opozita, Qeveria