Digjet prona e një zyrtari policor serb në Leposaviq


E diel, 6 Nëntor 2022

LEPOSAVIQ – Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të 6 nëntorit, është djegur një objekt i një zyrtari policor serb në Leposaviq.

Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar, ashtu sikurse rastet tjera të zjarrvënieve, që janë orientuar në javët e fundit ndaj pronave private.

Ky lajm vjen një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.

Institucionet e Kosovës kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri në nëntor kanë regjistruar katër incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.

Deri në fund të muajit tetor besohet se rreth 20 makina me targa ilegale serbe janë pajisur me targat RKS.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien apo shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.

Etiketa: , , ,

Leave a Reply