E premte, 30 Tetor 2026

Në Shqipëri, dorëheqja duket më shumë si kërcënim për pushtetin sesa si detyrim ndaj qytetarëve
Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka rikthyer në vëmendje një çështje themelore të funksionimit të institucioneve, përgjegjësinë e drejtuesve për dështimet që ndodhin nën autoritetin e tyre.
Një përgjegjësi, që në Kosovë po prodhon pasoja konkrete në nivelet drejtuese, ndërsa në Shqipëri duket se është shndërruar në një koncept që pushteti e pranon me vështirësi.
Hoxha dha dorëheqjen pas reagimeve të forta publike lidhur me mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin e Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga policia dhe prokuroria, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Megjithatë, paralajmërimet nuk arritën ta shpëtonin.
Dorëheqja u bë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Albin Kurti pranoi kërkesën e Hoxhësdhe pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, caktoi Fehmi Hotin si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Por reagimi institucional nuk u ndal këtu. Inspektorati Policor rekomandoi pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial pezulloi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Për të dyja janë paralajmëruar procedura hetimore dhe disiplinore.
Përtej përgjegjësive individuale që duhet të përcaktohen nga hetimet, rëndësia e këtij rasti qëndron edhe te mesazhi institucional, një dështim me pasoja tragjike nuk mund të trajtohet thjesht si një episod për të cilin askush nuk mban përgjegjësi në nivelet drejtuese.
Dhe pikërisht këtu shfaqet kontrasti me Shqipërinë. Në Tiranë, dorëheqja e një zyrtari të lartë është shpesh një mundësi që përjashtohet që në fillim, edhe kur institucionet përballen me skandale, dështime të rënda apo akuza që kërkojnë përgjegjësi politike dhe administrative.
Përgjigjja tipike është mbrojtja e zinxhirit drejtues, transferimi i përgjegjësisë te vartësit, pritja e përfundimit të hetimeve ose përpjekja për ta relativizuar ngjarjen.
Natyrisht, dorëheqja nuk është provë faji dhe as zëvendësim për drejtësinë. Por ajo është një akt përgjegjësie publike, që tregon se drejtimi i një institucioni nuk nënkupton vetëm ushtrimin e pushtetit, por edhe mbajtjen e përgjegjësisë kur ai dështon.
Me zhvillimet pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kosova na ofron një shembull konkret të reagimit institucional, pa paragjykuar përgjegjësitë që do të përcaktohen nga hetimet.
Ndërkohë Shqipëria, vazhdon të përballet me një kulturë politike ku dorëheqja duket më shumë si kërcënim për pushtetin sesa si detyrim ndaj qytetarëve.
Por dallimi nuk matet vetëm me numrin e zyrtarëve që largohen nga detyra, por me një pyetje më të rëndësishme: a e kuptojnë drejtuesit se posti publik është përgjegjësi dhe jo privilegj që mund të ruhet pavarësisht pasojave? tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
