Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Dr. Hanife Hamidi: Kanceri i gjirit dhe rëndësia e diagnostikimit në kohë

Prizren Post | 19:46 - 11.02.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Kanceri i gjirit është lloji i kancerit që haset më së shpeshti tek femrat.

Në çdo 8 gra, njëra do të preket nga kanceri i gjirit gjatë jetës së saj.
Një rëndësi të veçantë ka zbulimi dhe trajtimi i hershëm i kësaj sëmundje, pasiqë diagnostikimi në kohë i kancerit të gjirit rrit shancet për mbijetesë tek femrat e prekura. Njëkohësisht trajtimi i saj bëhet më i lehtë dhe me komplikime më të vogla.
Ndonëse rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit është më i madh pas moshës 40 vjeçare, moshat e reja gjithashtu nuk janë imune ndaj kancerit të gjirit.

Faktorë rreziku për kancerin e gjirit janë:

– Historia familjare: nëse në familje gjithashtu ka të prekur nga kanceri i gjirit.

– Mutacionet në gjenet BRCA1 dhe BRCA2

– Fillimi i vonshëm i Menopauzës

– Trajtimi i një periudhe të gjatë me terapi hormonale

– Konsumi i cigares dhe alkoolit

– Obeziteti

– Mungesa e aktivitetit fizik.

– Përdorimi i kontraceptivëve për një periudhë të gjatë.

Simptomat dyshuese për kancer të gjirit përfshijnë:

– Masë apo kokërr e fortë që ndjehet gjatë prekjes së gjirit me dorë.

– Ndryshim i simetrisë së gjinjëve, ku njëri gji është më i madh se tjetri.

– Ndryshim i formës së majës së gjirit.

– Skuqje apo plagë në majën e gjirit.

– Rrjedhje gjaku apo qelbi nga maja e gjirit.

– Kokërr apo masë e fortë nën sqetull.

Diagnostikimi i kancerit të gjirit:

Mamografia:
– Diagnostikimi më efikas i kancerit të gjirit është Mamografia. Saktësia e Mamografisë është rreth 90%. Femrat pas moshës 40 vjeçare rekomandohet që një herë në 2 vjet ta bëjnë Mamografinë për zbulimin e hershëm të kancerit. Mamografia luan një rol të rëndësishëm në zbulimin e kancerit të gjirit në fazat e hershme. Në këtë mënyrë rritet mundësia e trajtimit të suksesshëm të kancerit të gjirit.

Vetëkontrolli i gjirit:
Çdo grua duhet të paktën një herë në muaj të bëjë vetëkontroll të gjirit duke lëviz dorën nga qendra në periferi të gjirit. Nëse vërehet prania e ndonjë kokërre të fortë në gji apo nën sqetull duhet të bëhet kontrolli tek mjeku.

EKO e gjirit:
EKO-ja e gjirit zakonisht rekomandohet për moshat 20-40 vjeçare dhe për ato që nuk mund të ekspozohen ndaj rrezëve X (shtatëzëna).

Dr.Hanife Hamidi


Etiketa:

Bëni një koment