E premte, 14 Shtator 2018
Po lexoj mendime e analiza nga më të ndryshmet për bllokimin e kalimit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Drenicë!
Nga Presidenti i molotovit, Hashim Thaçi, i cili doli kundër protestuesve, pastaj disa të tjerë që po thonë: “hajdeni në Mitrovicë patriota”, e deri tek disa analist e mendimtar me nam, të cilët po thonë “Paraqitën Haxhiqamilët” dhe “Po të ishin patriota tamam ata do t’ia zinin rrugën Vuçiqit në kufi të vendit e jo në hyrje të Drenicës”, e që për mua këto kundërshtime janë tejet absurde!
Sipas kësaj logjike, Adem e Hamëz Jashari me Familje, nuk është dashtë me mbrojtë pragun e shtëpisë! Ose me mbrojt krejt Kosovën, ose hiç! Shumë mendime të cekëta! Ndoshta këta e kanë mendimin se as nënat gjakovare nuk kanë të drejtë ti ndalojnë pelegrinët serb në Gjakovë, por të dalin në kufi! Apo ndoshta shkojnë aç larg, sa që të përzihen edhe në rastin e ndalimit të Vuçiqit në Serbrenicë!
Biles kisha përshtypjen që disa “pacifista”, më shumë do të dëshironin shkuarjen e Vuçiqit në Banjë të Drenicës, sesa tata shtynim kufirin deri tek Molla e Kuqe!
Ne të gjithë e dimë për masakrat e serbëve mbi popullatën shqiptare në Drenicë, por si duket, i paskemi harruar dhe për këtë arsye disa thonë: Nuk ka qenë nevoja me ndalë Vuçiqin!
Kujtojmë:
-Pas betejës në Likoshan dhe Qirez, forcat serbe vrasin e masakrojnë 24 civil shqiptar.
-Me 5,6, dhe 7 mars, forcat serbe bombarduan dhe granatuan Familjen Jashari, Familje e cila për 3 ditë rresht i rezistuan pushtimit. Por pasi që ishte aktivizuar edhe ushtria serbe, u vranë dhe ranë heroikisht, plotë 56 anëtarë të lagjes Jashari.
-Pastaj në fshatin Abri, forcat serbe masakruan tmerrësisht 23 civil shqiptar. Në mesin e tyre pleq, gra e fëmijë. Kishte nga mosha 94 vjeç, deri në, besoni ose jo, 6 muaj fëmija është masakruar nga serbët.
-Masakra tjetër në Regjionin e Drenicës, është në fshatin Izbicë, forcat serbe kryen terrorin e tmerrshëm mbi civilët e pambrojtur, ku 93 civil u vranë e masakruan pamëshirshëm.
-Forcat serbe hynë edhe në fshatin e Rezallës, dhe pushkatuan plotë 98 shqiptar, kryesisht djem të rinjë por nuk i kursyen as më të moshuarit, vetëm 3 prej tyre i shpëtuan ekzekutimit.
-Dhe për ta mbyllur tmerrin, është masakra e Reçakut, ku u masakruan pamëshirshëm mbi 45 civil shqiptar, iu nxorën sytë, iu prenë kokat, thjeshtë, bënë barbarizma kanibaleske.
Këto janë disa të dhëna sipërfaqësore për masakrat në Drenicë që i shkaktuan forcat militare e paramilitare serbe.
Mbeti Nëna pa djem, mbeti motra pa vëlla, mbetën fëmijë jetim, mbetën prindër pa fëmijë që sapo do fillonin shkollën, mbeti Babai pa fëmijë, etj., por ja që disa shqiptar, nuk ua mbushen mendjen këto ngjarje që t’a arsyetojnë këtë protestë!
Turpi më i madh është kur Presidenti i Kosovës i zgjedhur nga të votuarit e popullit, dalin kundër protestuesve, duke harruar se ndoshta në mesin e tyre kishte familjarë të te masakruarve.
Nënat nuk i harrojnë dhimbjet që u shkaktuan serbët, as motrat nuk do i harrojnë lotët për vëllezërit e vrarë pa asnjë të drejtë. Andaj, kjo protestë ishte tejet legjitime dhe e drejtë, sepse kishim një reaksion popullorë kundër një lideri i cili ishte pjesë e asaj elite politike që kreu masakra që janë të barabarta me masakrat e mesjetës, por tani ato ndodhën në shekullin XX.
Dhe ju, menduat se duhej të lihej të kalonte! Menduat se drenicasit harrojnë! Menduat se duhej të nënshtrohemi! Sinqerisht turp për ju dhe Kosova pastë sa më pak nga ata njerëz që mendojnë si ju.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Sali Kabashi