Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Dukuria e fajdeve shqetësuese për deputetët

Prizren Post | 14:55 - 17.09.2015

Seanca e sotme e kryesuar nga Sabri Hamiti, filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës ku u prekën disa nga temat aktuale.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka folur për mospërfshirjen e disa personave në listën për veteranë, Armend Zemaj dhe Zafir Berisha folën për dukurinë e fajdeve, ndërkaq Bekim Haxhiu ka shprehur shqetësim për çantat e rënda të nxënësve.

Ndërkaq deputeti Glauk Konjufca ka folur për arrestimet e aktivistëve të partisë së tij nga ana e Policisë.

Haradinaj, tha se janë disa njerëz në rajonin e Dukagjinit ku sipas tij nuk u është njohur statusi i veteranit, e që sipas tij në të vërtetë ata kanë qenë në luftë.

Haradinaj: Unë jap përgjegjësi për të gjithë veteranët e Dukagjinit

“Nuk e dimë pse nuk po përfshihen, ose nuk po pranohen si veteranë. Me thanë se ligji është bërë i tillë se i pranon vetëm 90 ditët e fundit kush ka qenë në luftë. Besoni këta njerëz kanë qenë në luftë gjithë kohën, po r evidencat për ta janë ndryshe. Të gjithë këta njerëz që kanë bërë shumë për luftën është e padrejtë me mbet jashtë, ju lutem kryetar i komisionit zotëri Çeku kolegëve të tjerë, unë ju kam bërë deklarim publik edhe nënshkrim që marrë përgjegjësitë dhe dëshmoj që këta janë veteranë. Nëse dikush duhet të jap përgjegjësi para ligjit jap unë”, tha Haradianaj.

E deputeti dhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca pasi e quajti marrëveshjen e arritur në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe “marrëveshje të tradhtisë kombëtare”” foli për arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes , të cilët në ditët e javët e kaluar patën bërë disa aksione për të kundërshtuar këtë asociacion. Konjufca e quajti kryeministrin Isa Mustafa kryepolic të Kosovës.

Konjufca: Kryepolici i Kosovës, Isa Mustafa ka arrestuar 51 aktivistë të Vetëvendosjes

“Prej kur e ka nënshkruar marrëveshjen e tradhtisë kombëtare të ‘Zajednicës’, kryepolici I Kosovës, Isa Mustafa ka arrestuar 51 aktivistë të Vetëvendosjes. Shumica prej tyre janë arrestuar duke bërë dy aktivitete ose duke shkruar parulla kundër ‘Zajednicës’, ose duke shpërndarë fletushka duke treguar dëmin e bërë nga Beogradi. Më 25 gusht janë arrestuar disa aktiviste vetëm pse deshën në oborrin e Qeverisë deshën ta vendosnin parullën ‘Shiti pronat tuaj, e jo të Kosovës’. Prej atij momentit Isa Mustafa ka folur shumë me qindra herë për shenjtërinë e pronës së tij private, por asnjëherë për vlerën e pronës shtetërore që ai e shet”, tha Konjufca.

Ndërsa deputeti i LDK-së Armend Zemaj foli për problemin e fajdes duke thënë se ky problem nuk po merr goditjen e duhur as nga Policia e shtetit e as nga Prokuroria e Gjykatat.

Zemaj: Fajde t një biznes i pistë për fajdexhinjtë

“Fajdet janë shndërruar në një biznes të pistë për përfituesit, fajdexhinjtë dhe përkrahësit e tyre, zhvatje për qytetarët e varfër dhe zhvillim të krimit të organizuar në vend. Kemi pas vrasje, dhunime, shkatërrime por edhe ikje të qytetarëve jashtë vendit nga ky fenomen i cili nëse i marrim perceptimet e qytetarëve është i mbështetur edhe nga organet e sigurisë dhe të cilat e kryejnë një punë të mirë për t’i ndihmuar fajdegjinjët qoftë në aspektin e përcjelljes, qoftë në aspektin e dhënies dhe mbi të gjitha edhe të ruajtjes së tyre”, tha Zemaj.

Për këtë çështje foli edhe deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha i cili foli për këtë temë pas vrasjes së fundit në Prizren, duke thënë se gjendja në Kosovë është jashtë asaj që mund të quhet jetë normale. Sipas tij ministrat që janë përgjegjës për sigurinë dhe drejtësinë në vend duhet të marrin përgjegjësinë që u takon për ato që kanë ndodhur në Prizren kohëve të fundit.

Berisha: Ftojmë ministrin e Drejtësisë dhe të Brendshëm të tregojnë se çka po ndodh në Prizren

“Skenat e kaubojve që kanë ndodhur në Prizren janë të papranueshme dhe mendoj se ministrat përgjegjës duhet të jenë të shqetësuar me atë çka po ndodh në Prizren dhe në Kosovë. Unë desha t’i tërheq dy paralele që t’i tërheq vëmendjen dy ministrave. Komandanti tash i suspenduar në Prizren dy ditë para se të ndodh rasti, doli publikisht dhe tha se me qindra lëndë, pra lëndë penale dhe ka njerëz të caktuar lirohen. Një ditë pas vrasjes prokurori i Prizrenit del dhe thotë se ky fenomen në Prizren është në rritje që lë të nënkuptuar se kjo storie trishtuese do të vazhdojë në Prizren”, tha Berisha.

Ai foli edhe për njehësorët elektrikë duke kërkuar kështu që Instituti i Metrologjisë të bëhet si agjencion i pavarur e jo të mbetet në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Berisha: Instituti i Metrologjisë të bëhet si institucion i pavarur

“Veç nuk është ministrja këtu unë kisha kërkuar publikisht ministres së Tregtisëedhe njëherëtë merret seriozisht me institutin e Metrologjisë. Unë qëndroj në atë se marrja e Institutit të Metrologjisë në kuadër të kësaj Ministrie është konflikt interesi dhe fakti që Ministria para se me dal me ba inspektimin në pompat e benzinës kjo i bie ‘këqyr se ju që jeni tu vjedh mos vidhni se natën kemi me dal në kontroll’, tha Berisha.

Bekim Haxhiu nga PDK foli për çantat e rënda të fëmijëve të ciklit të ulët, duke kërkuar zgjidhje për këtë çështje nga Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Ai ka folur edhe për ngecjen e punëve në ndërtimin e sheshit në Mitrovicë, për çka kërkoi nga kryetari Agim Bahtiri që të jetë në krye të detyrës së tij, e jo vetëm të bëj veprime sa për t’u dukur para medieve.

Haxhiu: Të kryhen punët në Mitrovicë

“Sheshi i Mitrovicës që sa vite për shkak të neglizhencës, punët atje, është bërë i padurueshëm, jo vetëm për qytetarët, por edhe bizneset të cilat janë dëmtuar në mënyrë të rëndë, për shkak se ai ambient është bërë një punë ishte në vazhdimësi dhe në vazhdimësi po shkohet duke u shtyre afatet e investimeve atje, prandaj kërkoj njëpërgjegjësi nga kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, që të jetë në krye të detyrës, të mos del vetëm sa për t’u reklamuar në televizione e në shesh”, tha Haxhiu

Seanca e ardhs hme ku pritet të diskutohet për marrëveshjet e Brukselit nga ana e kryeministrit Isa Mustafa mbetet të vendoset të hënën nga ana e Kryesisë./RTK/


Etiketa:
Arivisti Company