E duam Vetëvendosjen në Qeveri


E premte, 18 Korrik 2014

Lideri i partisë “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë se më shumë e shqetëson mbledhja konstituive e djeshme në Kuvend, sesa ankesa me pretendimet për shkelje të procedurave të cilën sot e kanë dërguar anëtarë të PDK-së në Gjykatë Kushtetuese.

Limaj në një intervistë në KlanKosova, përpos ankesës që ka pasur për udhëheqësen e Kuvendit dje, Flora Brovinën, ka thënë se mbledhja ka shkuar me maturi e pjekuri.

“Shembulli i djeshëm i Kuvendit është shembull pjekurie dhe maturie edhe për vendet e rajonit”.

“Më shumë më ka shqetësuar gjendja dje sesa sot. Zonjën Brovina gjithë dy milionë shqiptar e kanë parë që nuk është duke e zbatuar rendin e ditës. Ne kemi kërkuar rrugën ligjore për ta kryer ligjshmërinë në Parlament”.

Duke folur për bllokun opozitar të krijuar, Limaj ka harruar për një moment inicimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ta bërë bashkë opozitën, teksa ka thënë se jemi mbledhur pa na ftuar askush.

“Janë disa momente të reja në skenën politike të Kosovës. Jemi mbledhur nga askush, pa na ftuar askush. Pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Jemi mbledhur, kemi biseduar se është momenti të jemi bashkë, të ndërtojmë një koalicion i cili do të ketë shumicën”.

Ndërsa duke folur për qeverinë Haradinaj, Limaj ka thënë se ai nuk do të jetë pjesë e saj, dhe kjo shkaku i dy proceseve gjyqësore që i ka të hapura. “Pavarësisht a janë të drejta apo jo, unë kam të hapura dy procese gjyqësore. Duhet të respektojmë rendin demokratik, dhe në raste të tilla, nuk do të ishte në rregull që unë të përfshihem në qeverisje”, ka thënë Limaj.

Duke folur për raportin me Vetëvendosjen, Fatmir Limaj tha se kemi dëgjuar njëri tjetrin për orë të tëra, jemi pajtuar e mos-pajtime ka pasur, por vullneti ka qenë për të përafruar qëndrimet.

“Vetëvendosja ka luajtur një rol shumë konstruktiv”, tha Limaj.

Ende kam shpresë që do ti përafrojmë qëndrimet me Vetëvendosje, tha lideri i Nismës.

Ai tha se nuk dallojnë shumë me Vetëvendosjen. “Nuk duam që pafundësisht të vazhdojë dialogu me Serbinë”, tha Limaj.

Ai tha se marrëveshja duhet të ndërtohet në atë mënyrë që të gjithë ti qëndrojnë asaj marrëveshje, dhe jo ta prishin për shkak të pamundësisë për ta zbatuar atë.

“Të gjithë e dëshirojmë Vetëvendosjen në Qeveri, sepse do të kishim një qeveri të fuqishme”, tha Limaj./zeri/

Etiketa: , ,
Të fundit