Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

‘Ekskursioni diplomatik’ i Trumpit, ikje nga problemet në vend

Prizren Post | 20:44 - 22.05.2017

“Udhëtimi mund ta ngrejë humorin e Trump, – shkruan Josh Dawsey, – por mbetet e paqartë nëse ekskursioni diplomatik , i organizuar me një koreografi të lartë, do të mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për një presidencë të përballur në vendlindje me hetime”.

Dhe kësaj ideje i mëshon fort në artikull. “Kur Trump mbërriti në Arabinë Saudite, – vëren reporteri, – dukej në humor të mirë. Pati lëvdata për akomodimin, shijoi medaljonin e florinjtë ndërsa merrte nderimin më të lartë të vendit, e madje kërceu në vallen e shpatave të mbrëmjes gala”.

“Ju jeni një personalitet unik, – i tha presidenti egjiptian Abdel Fatah el-Sisi, – që është i aftë të bëjë të pamundurën”.

Përgjigjja e Trump nuk ishte modeste. “Jam plotësisht dakord me ty”, ia ktheu kreu i administratës amerikane.

Bashkëpunëtorët e tij këmbëngulin ta përshkruajnë që tani, rrugëtimin e republikanit si një sukses.

“Presidenti na kërkoi të planifikonim një udhëtim, i cili të ndihmonte në bashkimin e botës kundër intolerancës dhe terrorizmit”, tha në një deklaratë të dielën dhëndri i tij, Jared Kushner.

Trump e moderoi tonin e vet me Islamin gjatë fjalimit të mbajtur në Rijad dhe i shmangu gafat që mund të priteshin prej tij. Por pengesat nuk kanë përfunduar ende.

Përpos Izraelit, rrugëtimi i komplikuar e çon edhe në Itali e Belgjikë. Ndalesa në shtetin hebre vjen pak pasi aleati kyç i Shteteve të Bashkuara u zhyt pa dëshirë në kaosin e Uashingtonit, kur u raportua se Trump u kishte përcjellë zyrtarëve të lartë rusë informacione të klasifikuara, të marra nga një burim izraelit.

“Buzëqeshje nga ato me pahir mund të ketë plot”, thotë për “Politico”-n, Alan Dershowitz, një jurist me të cilin Trump ka diskutuar mbi Lindjen e Mesme, por izraelitët duhet të jenë tërbuar, përcjell TCh.

James Comey, ndërkohë, shefi i FBI-së që presidenti e pushoi nga puna, përgatitet të dëshmojë përpara Senatit, ndërsa Robert Mueller, njeriu që po merret tani me hetimin mbi ndërhyrjet ruse gjatë fushatës, premton t’u shkojë verifikimeve deri në fund.

Për Tom Fitton, drejtuesin e grupit konservator mbikëqyrës “Judicial Watch”, thashethemnajës që vazhdon prej kaq kohësh, Trump mund t’i japë fund vetëm duke treguar se nuk ka asgjë për të fshehur.


Etiketa:
Arivisti Company