E hënë, 5 Maj 2014
Shkup, 5 maj – Deputeti i Bundestagut gjerman me prejardhje kroate, Josip Juratoviç gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni për të parë se në çfarë kushtesh punojnë punëtorët nga Maqedonia në investimin më të madh gjerman në Maqedoni, “Drekselmaer”, ka folur edhe për situatën politike në Maqedoni dhe rajon.
“Mendimi i parë që më vjen në kokë për Maqedoninë është se ajo është një vend thellësisht i ndarë. I dyti, është problemi i emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, çështje për të cilën shpesh bisedojmë kur vijnë në Gjermani delegacione nga Maqedonia. Por, unë ju bind se çështja e emrit nuk është problemi kryesor i Maqedonisë, edhe pse për këtë çështje tematizohet dhe shpesh bisedohet në opinion. Problemi kryesor i Maqedonisë është pikërisht fakti se ajo është shoqëri e ndarë, fillimisht në bazë nacionale dhe pastaj edhe në bazë sociale. Ka përqindje të lartë të varfërisë dhe papunësisë dhe kjo është shtresa e njerëzve që nuk dalin në zgjedhje, pasi kanë humbur çfarëdo besimi. Nëse duam t’i jemi miq Maqedonisë, duhet të jemi të sinqertë në vlerësimet për këtë shtet. Unë jam deputet gjerman dhe e di se të gjithë politikanët nga rajoni i drejtohen për ndihmë Gjermanisë. Gjermania mund të ndihmojë, por jo edhe ta bëjë punën e atyre që vet duhet ta bëjnë, elitave politike dhe shoqërisë në përgjithësi”, tha mes tjerash Juratoviç në intervistë për DW.
Ai theksoi gjithashtu se elitat në Ballkan nuk e duan anëtarësimin në BE.
“Sinqerisht do t’iu them: Elitat në Ballkanin Perëndimor, pa anashkaluar asnjërin, nuk duan të jenë në Bashkimin Evropian, më së shumti frikësohen nga sindromi ‘Sanader’ dhe nga gjykatat e pavarura. Kroacia nuk arriti shumë deri në anëtarësimin në BE, por arriti një të vetme: përfundimisht filloi të bëhet shtet i së drejtës dhe kjo i hapi mundësi të tjera”, tha Juratoviç.
Etiketa: Bashkimi Europian, Maqedonia