E enjte, 14 Maj 2015
Tiranë – Pasi presidenti Bujar Nishani tha se “historia ndërmjet dy popujve tanë është e gjatë, në të cilën kemi marrë dhe dhënë kaq shumë nga njeri-tjetri, por mbi të gjitha miqësi tradicionale”, homologu Rexhep Taip Erdogan kujtoi tri figura të lartësuara shqiptare që pranoi se janë në themelet e Turqisë: Sami Frashëri, Mehmet Akif dhe Hoxha Tahsin.
Presidentët e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe të Shqipërisë, Bujar Nishani të shoqëruara nga Zonjat e Para, Emine Erdoan dhe Odeta Nishani morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.
Presidenti Nishani përsëriti se z. Erdogan është “mik i Shqipërisë dhe popullit shqiptar” si dhe “mirënjohje Turqisë për ndërtimin e xhamisë”.
“Shqipëria është model perfekt i bashkëjetesës fetare. Jo vetëm që gëzojmë dhe respektojmë liritë dhe besimin e njeri-tjetrit, por edhe në ditët e dhunës komuniste kur mijëra drejtues fetarë u pushktuan, internuan, burgosën vetëm për shkak të besimit fetar dhe predikimit të lirisë njerëzore”-tha z. Nishani.
Ai vijoi mendimin duke kujtuar për udhëheqësit fetarë se “shumë prej tyre shkuan drejt skuadrave të pushkatimit dhe ndanë qelitë e diktakturës pavarësisht fesë që i përkisnin”.
Z. Nishani theksoi se gjithçka ata e “bënë në emër të Zotit, lirisë dhe shprehjes së lirë”.
“Feja islame në thelbin e saj ka dinjitetin, respektin ndaj individit, lirinë dhe tolerancën”-tha presidenti Nishani.
“Për gati çerekshekulli Shqipëria përjetoi një masakër çnjerëzore ndaj besimit. Me qindra faltore u rrafshuan me qëllimin për ta çrënjosur besimin nga struktura mendore dhe shpirtërore e shqiptarëve”-vijoi ai.
Z. Nishani se xhamia ku po vendosej gurthemeli, ishte “shprehje e gatishmërisë së lartë të Komunitetit Musliman Turk dhe popullit turk për të ndihmuar shqiptarët dhe vecanërisht besimtarët muslimanë të Shqipërisë”.
“Xhamia e Namazgjasë e vonuar, por një gur në rrugën e bashkëpunimit”-tha presidenti Nishani.
Mandej, presidenti Erdoan e hapi ceremoninë me drejtimin lutjes në Zot, duke shprehur bindjen se me ndihmën e tij “punimet në këtë xhami të përfundojnë sa më shpejt”.
Pasi presidenti Nishani tha se “historia ndërmjet dy popujve tanë është e gjatë, në të cilën kemi marrë dhe dhënë kaq shumë nga njeri-tjetri, por mbi të gjitha miqësi tradicionale”, zoti Erdoan kujtoi tri figura të lartësuara shqiptare që pranoi se janë në themelet e Turqisë:
“Themeluesi i enciklopedisë dhe alfabetit turk është një shqiptar, Shemsedin Sami Frashëri. Krijuesi i himnit kombëtar të Turqisë, është shqiptari Mehmet Akif Eksoj me baba nga Kosova nga fshati Shushicë. Rektori i parë në Turqi është shqiptari nga Janina, Hoxha Tahsin, Hasan Tahsini”.
“Pesë mijë persona do të mund të falen në xhaminë e Namazgjasë. Ne dëshirojmë që të gjitha lutjet, faljet që do të bëhen në këtë faltore të pranohen nga Zoti”-tha presidenti Erdogan.
Presidenti Erdogan theksoi se “Turqia që ndjek politikën e paqes në Ballkan ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë”.
“Ne e ndjejmë veten si në shtëpinë tonë kur jemi në Shqipëri dhe kam bindjen se edhe vëllezërit tanë kur vijnë në Turqi e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre”-tha zoti Erdogan.
Etiketa: Bujar Nishani, Recep Tayyip Erdoğan, Shqipëria, Turqia