Francë, konfirmohet fitorja e Macron


E hënë, 8 Maj 2017

Paris – Ministria e Punëve të Brendshme të Francës ka deklaruar se janë numëruar të gjitha votat e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën në vend të dielën, raporton Anadolu Agency.

Sipas deklaratës në faqen e internetit të ministrisë, centristi Emmanuel Macron, lider i Lëvizjes En Marche, ka fituar zgjedhjet përballë djathtistes ekstreme Marine Le Pen.

Në deklaratë thuhet se Macron ka marrë 66.06 përqind të votave kurse Le Pen 33.94 përqind.

Të dhënat flasin se Franca në këto zgjedhje ka shënuar pjesëmarrjen më të ulët të votuesve që nga viti 1969, pasi 25.38 përqind prej tyre nuk kanë marrë pjesë në votim.

Ndërkaq 6.34 përqind e votuesve kanë lënë të zbrazët fletëvotimin kurse 2.24 përqind e votave kanë rezultuar të pavlefshme.

Sipas rezultateve nga numërimi i votave, për Macron kanë votuar 20.703.694 votues kurse për Le Pen janë përcaktuar 10.637.120 votues. Në këtë mënyrë, Macron ka marrë votën e 43.63 përqind të votuesve të regjistruar, kurse Le Pen atë të 22.42 përqind të votuesve të regjistruar.

Djathtistja ekstreme Le Pen, e cila sipas rezultateve zyrtare në raundin e parë kishte siguruar 7.678.491 vota, ka rritur mbështetjen për afër tre milionë në raundin e dytë.

Rezultatet zyrtare në lidhje me zgjedhjet do të shpallen më 10 maj nga Këshilli Kushtetues i Francës.

Pas shpalljes së rezultateve zyrtare, pritet që Macron ta marrë detyrën nga presidenti aktual François Hollande deri më 14 maj.

Etiketa: , , ,
Të fundit