Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

FSK-së pas transformimit i nevojiten kapacitete të reja

Prizren Post | 10:25 - 13.12.2018

PRISHTINË – Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) pritet të bëhet të premten (14 dhjetor), me votimin e tri projektligjeve nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që FSK-së t’i hapet rruga për ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

Kështu kanë vlerësuar për Telegrafin, ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati si dhe ekspertja e sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj.

Kastrati ka thënë se kjo Forcë do të jetë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit, por sipas tij, nevojiten kapacitete të reja njerëzore, infrastrukturore si dhe pajisje tjera.

“Pas votimit të projektligjeve të FSK-së e cila parashihet të bëhet premten do t’i hapet rruga Ministrisë së FSK-së dhe Forcës së Sigurisë për t’i i ngritur kapacitet ushtarake të nevojshme për përmbushjen e misionit që do ta ketë me ligj të ri. E misioni parasheh që Forca ushtarake duhet të mbroj sovranitetin dhe integritetin e vendit, pjesëmarrjen në operacione paqeruajtëse me NATO-n, BE-në apo SHBA-në dhe mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale. Për t’i plotësuar të gjitha këto detyrime normal që duhen edhe kapacitete të reja, edhe njerëzore, infrastrukturore, armatim si dhe pajisje tjera të nevojshme. Kosovën e pret dhe rruga drejt anëtarësimit në NATO me disa detyrime që duhet t’i plotësoj”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa ekspertja e sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj për Telegrafin ka thënë se transformimi i FSK-së, duhet të bëhet konform rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë i cili u krye në vitin 2014.

Sipas saj, në atë vit është rishikuar komplet sektori i sigurisë së Kosovës, ku edhe janë parë sfidat.

“Janë bërë matjet aty ku ka kërcënime dhe rreziqe nëpërmjet 12 skenarëve që kanë pasur probabilitet dhe pasoja më të mëdha për Kosovën”, u shpreh ajo.

Kabashi-Ramaj theksoi se misioni i FSK-së, do të ketë rol sekondar dhe jo primar, pasi roli primar është i kushtueshëm.

“FSK-ja ka rol sekondar për mbështetje të autoriteteve civile dhe do i mbajnë krejt rolet dhe misionet që i ka pasur deri më tash, ndërsa i shtohet dhe mbrojtja e vendit. Ideja ka qenë që Kosova mbrojtjen e saj ta bëj në një konstalacion tre pikësh si me marrëdhëniet e mira fqinjësore, forcat e mbrojtjes apo të armatosura dhe anëtarësimi në NATO. Deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO, KFOR-i nuk do të tërhiqet”, tha ajo, duke shtuar se FSK ka kapacitete të jashtëzakonshëm për kërkim shpëtim.

Ekspertja e sigurisë u shpreh se periudha e zhvillimit të Forcës është dhjetëvjeçare.

“FSK-ja do të arrij të ketë kapacitete të plota. I ka tri faza atë legjislative, ngritjen e kapaciteteve dhe në fund marrja e pajisjeve, përveç nëse ndonjë partner strategjik jep donacion. Është paraparë diku 5 milion euro duhet të shtohet çdo vit në buxhetin e FSK-së, dhe mandej mund të dyfishohet pas 10 vjetëve. E mira e së mirës kish qenë që FSK-ja ta bëj dhe një rishikim, dhe kostoja financiare duhet të jetë e përgjithësuar”, shtoi ndër të tjera Besa Kabashi-Ramaj.

Ndryshe, në seancën e së premtes e cila do të filloj në orën 10:00, në rend dite do të jetë shqyrtimi i këtyre tri projektligjeve:

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndryshe, tri projektligjet që mundësojnë transformimin e FSK-së në Ushtri në lexim të parë janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 18 tetor 2018.

Derisa zyrtarë të NATO-s janë shprehur kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës në këtë periudhë, Kosova ka marr mbështetjen e SHBA-së për ecjen para me formimin e ushtrisë.

Kur kanë mbetur vetëm një ditë deri në votimin e projektligjeve për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), nga Amerika në Kosovë, kanë arritur 24 automjete ushtarake “Humvee”.

Këto automjete, që pritet të jenë në dispozicion të FSK-së, pasi të marrë mandatin e Forcës së Armatosur, i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7 milionë euro.

Mësohet se FSK-ja do të marrë edhe 27 automjete të tjera “Humvee”, të cilat janë donacion nga Ushtria Amerikane.


Etiketa:
Arivisti Company