Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Fule: Duhet integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në BE

Prizren Post | 15:39 - 03.06.2014

Vienë – 100 vjet nga Lufta e Parë Botërore, në Vjenë është mbajtur konferenca për vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule duke folur në këtë takim tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është një histori suksese, e cila ende nuk është përmbyllur.

“Kemi një arritje historike për të cilën, BE me të drejtë mund të jetë krenare dhe nuk është surprizë që roli që procesi i zgjerimit luan u reflektua edhe në çmimin e Nobelit për Paqen, që BE mori në vitin 2012”, tha Fule.

Komisioneri tha se ndihet krenar që BE, pavarësisht sfidave vazhdon të frymëzojë njerëzit jashtë unionit. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me premtimin për një jetë më të mirë, por së pari për vlerat për të cilat BE qëndron dhe lufton.”

Por, nga ana tjetër ai shtoi se zgjerimi ka sjellë dhe ngritjen e dyshimeve lidhur me përgatitjen e vendeve të reja anëtare. “Për këtë kemi mbajtur një proces të rreptë, por të drejtë.”

“Dera e BE-së mbetet e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë biem dakord se kjo është e vetmja rrugë për të siguruar stabilitet dhe paqe në këtë rajon të Evropës, që ka qenë i pllakosur nga konfliktet për shumë kohë.

“Është në dorë të liderëve politike për të bërë realitet pritshmërinë e qytetarëve të tyre dhe për të ndërmarrë reformat e nevojshme – jo vetëm për përfitimet e Evropës, por për të gjithë qytetarët.

“Në Ballkan u hap zjarri i Luftës së Parë Botërore. Sot, 100 vjet më pas, ne duhet t’i qëndrojmë me vendosmëri angazhimit tonë për të integruar të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e Bashkimit Evropian, për t’i ankoruar në mënyrë të vendosur dhe të qëndrueshme në paqe dhe stabilitet”, është shprehur Fule./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company