Futbollisti bëhet influencer për diçka që pakkush e priste…


E hënë, 12 Tetor 2026
Futbollisti bëhet influencer për diçka që pakkush e priste…

Në fillim të shtatorit, futbollisti brazilian Gustavo Scarpa publikoi në kanalin e tij në YouTube një video ku komentonte veprën “Vdekja e Ivan Iliçit” të shkrimtarit rus Lev Tolstoj.

Brenda pak javësh, romani i vitit 1886 u bë libri më i shitur në Amazon në Brazil, ndërsa kërkimet për të në Google u rritën me 300 për qind krahasuar me muajin gusht.

Scarpa është 32 vjeç dhe luan si mesfushor për Atlético Mineiro, klubin e njohur të Belo Horizonte. Ai ka luajtur edhe në Angli dhe Greqi, por pa lënë gjurmë të veçanta në karrierën europiane.

Në Brazil, megjithatë, konsiderohet një talent i madh dhe ka fituar dy herë Copa Libertadores, kompeticioni më prestigjioz i Amerikës së Jugut, i krahasueshëm me Champions League-n europiane.

Pot futbolli nuk është pasioni i tij i vetëm. Scarpa merret me skateboard, shah dhe wakeboard, ndërsa luan edhe kitarë. Në vitin 2021 hapi një kanal në YouTube, ku fillimisht publikonte kryesisht video me skateboard.

Në imazhin e kanalit ai shfaqet me një skateboard, një top futbolli, një kitarë dhe Biblën në dorë, një libër që e ka cilësuar si një nga tekstet më të rëndësishme në jetën e tij.

Vitet e fundit, një tjetër pasion ka marrë gjithnjë e më shumë hapësirë: leximi. Interesi për librat nisi në vitin 2018, kur një teze i dhuroi një biografi të Steve Jobs. Një vit më vonë, kur luante te Palmeiras, një pjesëtar i stafit nisi t’i dhuronte nga një libër për çdo gol ose asist që shënonte.

Në kanalin e tij tashmë mund të gjenden recensione për vepra si “Zoti i mizave” i William Golding dhe “Nata” e Elie Wiesel, ku autori rrëfen përvojën e tij në kampet naziste të përqendrimit.

Scarpa flet në mënyrë të thjeshtë dhe spontane, ulur në një karrige të stilit streamer. Ai nuk përpiqet të shfaqet si ekspert dhe pranon hapur se disa autorë, si Shakespeare, i duken tepër të vështirë. Shpesh, për t’i shpjeguar idetë e librave, bën edhe krahasime me histori nga Bibla.

Videoja për “Vdekjen e Ivan Iliçit” pati një efekt të papritur. Carolina Moraes, studente letërsie dhe tifoze e Atlético Mineiro, publikoi në X një pyetje: a kishte njerëz të interesuar për të krijuar një klub leximi për librat që rekomandonte Scarpa?

Më 14 shtator ajo krijoi profilet e klubit në X dhe Instagram. Nisma u quajt Galeitura, një bashkim i fjalëve portugeze galo – gjeli, simboli i Atlético Mineiro – dhe leitura, që do të thotë lexim.

Në përshkrimin e profilit, Scarpa u pagëzua me humor si “Ministri i Arsimit”. Libri i parë i klubit ishte pikërisht “Vdekja e Ivan Iliçit”, novela e shkurtër e Tolstoit që trajton krizën ekzistenciale të një burri përballë sëmundjes dhe vdekjes.

Leximi u organizua gjatë tri javëve dhe përfundoi më 6 tetor. Ndërkohë, Galeitura organizoi, në bashkëpunim me një organizatë joqeveritare lokale, takime pranë stadiumit Arena MRV, ku lexuesit mund të shkëmbenin libra dhe diskutonin për to.

Klubi u rrit me shpejtësi dhe sot ka më shumë se 114 mijë ndjekës në Instagram dhe rreth 9 mijë në X. Suksesi i tij frymëzoi edhe tifozë të klubeve të tjera.

Mbështetës të Cruzeiro-s, rivalit të Atlético Mineiro në Belo Horizonte, krijuan grupin e leximit “Cruleitores”, ndërsa iniciativa të ngjashme u shfaqën edhe mes tifozëve të Corinthians, São Paulo-s dhe Grêmio-s.

Scarpa ka treguar se leximi tashmë është bërë temë e zakonshme diskutimi edhe në dhomat e zhveshjes së Atlético Mineiro-s. Disa prej shokëve të tij të skuadrës kanë nisur të lexojnë dhe të shkëmbejnë mendime për librat.

Madje, në një prej videove të tij, Scarpa tregoi me humor se shoku i skuadrës Tomás Cuello e kishte ngatërruar Tolstoin me filmin e animuar “Toy Story”, ndoshta për shkak të ngjashmërisë së emrave.

Fenomeni ka tërhequr edhe bizneset e fushës së leximit. Skeelo, një aplikacion brazilian për libra elektronikë dhe audiolibra në portugalisht, ka nisur një bashkëpunim me Scarpa-n.

Në platformë do të publikohen recensionet e disa prej librave që ai do të lexojë, mes tyre edhe “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit dhe “Miti i Sizifit” i Albert Camus.

Në një vend ku futbolli është pjesë e identitetit kombëtar, Scarpa po dëshmon se ndikimi i një futbollisti mund të shkojë shumë përtej stadiumit. Këtë herë, një pasim i tij ka përfunduar drejtpërdrejt në duart e mijëra lexuesve. tesheshi.com


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit