Gjatë vitit 2021 do të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullatës


E shtunë, 26 Dhjetor 2020

PRISHTINË – Nga 1 korriku 1244 persona kanë humbur jetën nga COVID-19. Përkundër numrit të madh të personave që humbën jetën, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, e ka quajtur si të suksesshme punën e tij në menaxhimin e pandemisë së korona virusit.

Ai gjatë konferencës së fundvitit, ka treguar se grup mosha më e prekur nga ky virus është 30-39 vjeç, ndërsa mbi 80 për qind e të infektuarve janë raste të konfirmuara brenda institucioneve private dhe familjare.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj të shtunën i ka nderuar me një minutë heshtje të gjithë profesionistët shëndetësorë, që kanë humbur betejën me COVID-19.

Zemaj derisa ka folur për vaksinat anti-COVID, theksoi se me 7 dhjetor është bërë aplikimi zyrtar i Kosovës për sigurimin e kësaj vaksine në COVAX, mekanizëm ky i ngritur nga Aleanca globale e vaksinave CAVI.

“Ministria e Financave ka deklaruar që financimi i zinxhirit të ftohtë është aprovuar dhe do të bëhet me COUNCIL of Europe Development Bank Loan me shumë prej 2,3 milionë euro. Kategoritë prioritare të cilat janë planifikuar të imunizohen me vaksinat kundër COVID-19, janë punëtorët shëndetësorë, popullata mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, personat e rendit dhe sigurisë publike, dhe sigurisht mësimdhënësit. Fillimisht janë planifikuar 360,000 vaksina apo 740,000 doza të vaksinës, ku do të vaksinohet 20 për qind e popullatës. Gjatë vitit 2021 planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës deri në 50 për qind. Njëkohësisht është bërë planifikimi i vaksinimit masiv të popullatës në Kosovë 2021-2022 me vaksinën kundër COVID-19 ku planifikohen 522,927 hera 2 doza, që nënkupton 1, 045,914 doza të vaksinës”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj u zotua se kanë filluar negociatat individuale me shtatë kompani të ndryshme, ndërkohë që kanë bashkëpunuar me Bashkimin Evropian për vaksinat dhe kampanjat informuese për vaksinën antiCOVID-19, shkruan Telegrafi.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit