Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Gjermania dhe Turqia, eksportueset kryesore të mallrave në Kosovë

Prizren Post | 08:49 - 14.12.2018

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË – Gjermania dhe Turqia janë dy vendet që kanë marrë vendin e parë për kah niveli i eksportit të mallrave në drejtim të Kosovës.

Këto dy shtete, prijnë për kah eksporti i mallrave në Kosovë që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, më 21 nëntor.

Deri para tri javësh, listës së shteteve prej të cilave Kosova blinte më së shumti mallra i printe Serbia. Pas saj, në top-pesëshe renditeshin Gjermania, Turqia, Kina dhe Italia. Ndërsa, Shqipëria renditej në vendin e gjashtë të listës së shteteve, nga të cilat Kosova importonte më së shumti.

Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në tri javët e para të taksës, në top- pesëshe të vendeve të importit nuk figuron më Serbia, ndërsa Gjermania zë vendin e parë, e Shqipëria shënon ngritje nga vendi i gjashtë në të katërtin, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Duke përfshirë këto ditë, që nga vendosja e taksës, kemi rreth 21 milionë euro mallra import nga Gjermania, 21 (milionë euro) nga Turqia, 17 (milionë euro) nga Kina, 12 (milionë euro) nga Shqipëria dhe 10 nga Italia. Do të thotë, çka ka ndodhur në listën e top-pesë importuesve është se vetëm është hequr Serbia nga top-pesëshja”, bën të ditur Stavileci.

Ai thotë se para vendimit për taksën 100 për qind, Kosova importonte nga Serbia mesatarisht 36 milionë euro mallra, çdo muaj.

“Nëse e shohim në aspektin ditor, nga Serbia ka pasur një mesatare të eksportit ditor në Kosovë, të produkteve të tyre me rreth 1.2 milionë euro në ditë, derisa tërë vitin ka eksportuar rreth 440 milionë euro”, shton zëdhënësi i Doganës, Stavileci.


Etiketa:

Bëni një koment

Arivisti Company