Gjykata do të krijohet nga Kosova ose nga OKB-ja


E enjte, 25 Qershor 2015

dd12-640x345

Çështje më e nxehtë që nga formimi i koalicionit pas bllokadës gjashtëmuajshe në Kosovë ka dalë të jetë miratimi i Gjykatës Speciale, një çështje kjo e kërkuar nga Washingtoni dhe Brukseli.

Kur është fjala tek qëndrimet këtej Atlantikut, tashmë nga zyrtarët amerikanë është thënë shumë hapur se formimi i saj është i pashmangshëm dhe se ekzistojnë dy mundësi: që për Gjykatën Speciale të vendoset në Kosovë nga ligjdhënës dhe me ligjet e Kosovës ose në të kundërtën për këtë do të vendosë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në New York.

“Votimi afirmativ për krijimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës do të mënjanonte dëshirën e disa vendeve jo shumë dashamirëse të shtetësisë së Kosovës që ajo të krijohet nga Këshilli i Sigurimit”, thotë për RTK-në një burim në Washington dhe shton se janë në pritje të vënies në rend dite dhe për votim nesër nga Kuvendi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si garantues dhe promotor i pavarësisë së Kosovës, janë angazhuar përmes deklaratave shumë publike, por edhe komunikimeve të tjera se duan që krijimi i Dhomave të Posaçme të Gjykatës të bëhet nga Kuvendi i Kosovës.

Njëkohësisht, sipas këtij burimi në Washington, qeveria Amerikane poashtu ua ka bërë të ditur autoriteteve të Kosovës se ‘nuk do ta bllokojë një iniciativë, qoftë nga Rusia apo ndonjë shtet tjetër që e propozon krijimin e Gjykatës nga Këshilli i Sigurimit po qe se ajo nuk miratohet nga Kosova’.

Ekziston frika se qëllimi i këtyre vendeve, i Rusisë dhe disa vendeve latino-amerikane dhe islamike është që ta rikthejnë gjendjen e Kosovës në pozicionin fillestar të pasluftës, duke e ringjallur dhe futur sërish në veprim rezolutën 1244 dhe funksionalitetin ekzekutiv të UNMIK-ut.

Të fundit