Gjykata ilegale në Veri mund të dënojë ish-luftëtarët e UÇK – së


E diel, 28 Korrik 2013

Mitrovicë – Një gjykatë ilegale që vepron në veriun e Kosovës, midis shumë vendimesh, ka shqiptuar edhe atë për dënimin e tetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Në këtë tetëshe bën pjesë edhe Anton Çuni, deputeti që ka dhënë votën për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit, e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e cila pritet të legjitimojë shumicën e vendimeve që gjykatat ilegale kanë marrë.

E ashtuquajtura Gjykatë e Lartë në Mitrovicë para një viti e gjysmë ka dënuar me nga 15 vjet burgim këta ish-pjesëtarë të UÇK-së, për të cilët ka thënë se “janë të detyruar ta vuajnë dënimin menjëherë pas aktgjykimit të plotfuqishëm”, shkruan “Koha Ditore”.

Nëntorin e 2011-s, një kopje e aktgjykimit i kishte mbërritur në Beograd, Lozanka Radoiçiçit, nënës së Vladimir Radoiçiçit, një ushtar serb i vrarë në vitin 1998 në Koshare, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Si provë për dënimin, gjykata ilegale serbe kishe përmendur një xhirim që dëshmonte vrasjen, e bërë nga efektivat e UÇK-së.

Deputeti Çuni dhe të tjerët kurrë nuk ishin paraqitur në ndonjë seancë gjyqësore. Ata ishin dënuar në mungesë. Por, ishin vënë në dijeni me vitet burg që u ishin shqiptuar.

Çuni ka konfirmuar marrjen e aktgjykimit. “E kam një dënim prej gjykatës serbe që është e instaluar në Mitrovicë, e cila më ka dënuar me 15 vjet burgim”, ka thënë ai. “Dua me ta tregu një paradoks: aktakuza më ka ardhur nëpërmjet institucioneve të Kosovës. Postieri ma ka sjellë në shtëpi. Nëse unë duhet me pas njëfarë hidhërimi, duhet me e pas në institucionet tona”.

Ky deputet i LDK-së, i cili para se të hynte në politikë ka zhvilluar karrierë ushtarake, duke qenë pjesë e UÇK-së, TMK-së e FSK-së, është përmbajtur nga vlerësimi për statusin që duhet dhënë të tilla lëndëve të gjykatave ilegale. Por, pjesa më e madhe e të tilla vendimeve do të legjitimohen, ka thënë një burim i gazetës. Sipas tij, do të studiohen vetëm “lëndët më të ndjeshme”, që eventualisht mund t’i nënshtrohen një rigjykimi.

Etiketa: ,
Të fundit