E hënë, 5 Janar 2026

Një gjykatë penale në Paris dënoi sot 10 persona për ngacmim kibernetik për shkak të një fushate të koordinuar dezinformimi online që pretendonte në mënyrë të rreme se zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, ishte “transgjinore dhe pedofile”, transmeton Anadolu.
Gjykata vendosi dënime me kusht që varionin nga katër deri në tetë muaj, së bashku me dënime shtesë, duke përfshirë pezullime llogarish dhe kurse të detyrueshme ndërgjegjësimi.
Duke folur në televizionin francez të dielën, Brigitte Macron tha se donte të jepte një shembull në luftën kundër ngacmimit, veçanërisht për adoleshentët. Macron-ët ngritën padi në korrik kundër podkasteres së krahut të djathtë amerikane, Candace Owens, duke pretenduar se ajo ishte përfshirë në shpifje.
Padia e ngritur në një gjykatë në shtetin amerikan të Delaware, përqendrohet në pretendimet e Owens se zonja e parë franceze lindi si burrë dhe u transformua në grua me identitet të vjedhur si dhe në akuzat se Macron-ët janë të lidhur dhe kështu po kryejnë incest dhe se Macron u zgjodh për t’u bërë president francez nga agjencia amerikane e spiunazhit, CIA.
Padia prej 219 faqesh kërkon gjykim me juri për 22 akuza që lidhen me pretendimet e bëra në shfaqjen e Owens, përfshirë një seri me tetë pjesë që bëri një numër pretendimesh lidhur me Macron-ët si dhe për refuzimet e Owens ndaj tre kërkesave për tërheqje të dërguara që nga dhjetori i kaluar, sipas padisë.
Pretendimet e rreme lidhur me gjininë e Brigitte Macron kanë qarkulluar në mediat sociale për vite me radhë, duke filluar që nga viti 2021, kur dy gra franceze postuan një video në YouTube duke pretenduar se ajo dikur ishte një burrë me emrin Jean-Michel Trogneux, i cili në fakt është vëllai i saj.
Në korrik, Macron-ët e çuan çështjen e tyre kundër dy grave në gjykatën më të lartë të apelit pasi Gjykata e Apelit e Parisit rrëzoi dënimet e mëparshme.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale


