Godelli shpallet kampion bote


E mërkurë, 12 Nëntor 2014

Almati – Daniel Godelli është shpallur kampion bote për peshën 77 kg në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit. 22-vjeçari u rendit i pari me 171 kg në stilin e shkëputjes, i dyti në stilin e shtytjes me 198 kg dhe i pari në dygarësh me 369 kg të ngritura në total.

Në këtë mënyrë, Godelli arrin të marrë tre medalje në Almati: dy ari dhe një argjendi. Në fund, sportisti 22-vjeçar u mundua të thyente dhe rekordin botëror, por nuk ia doli dot.

Kjo është hera e parë pas 42 vjetësh që Shqipëria merr një medalje ari në një Kampionat Botëror. Më parë ka qenë Ymer Pampuri i cili mori medalje ari në një nga stilet e sportit të peshëngritjes në Lojërat Olimpike “Gjermani 1972”.

Ndërkohë, peshëngritësi tjetër shqiptar që garon në peshën 77 kg, kampioni i Europës Erkand Qerimaj, arriti të zërë vetëm vendin e pestë në stilin e shkëputjes, ndërsa në stilin e shtytjes Qerimaj gaboi në të treja provat duke mos arritur të kualifikohet në dygarësh.

Etiketa: , ,