Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Goditet me predhë të dasmorëve vetura e mërgimtarit

Prizren Post | 19:15 - 19.07.2013

Gjilan, 19 korrik – Mërgimtarit Mevludin Sabedinit i ka ndodhur një ngjarje e pakëndshme këtë të premte, derisa ai me familje po qëndronte në ballkon të shtëpisë. Një predhë e ka goditur veturën e tij Audi 6, ku ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ismet Hashani zëdhënës i policisë tha për rajonipress se vetura është dëmtuar si pasojë e gjuajtjes me armë të zjarrit nga ahengjet dhe dasmat.

“Punoj në Luzern të Zvicrës dhe ka 10 ditë që ndodhem me familje në shtëpinë time. Sot derisa po rrija me fëmijët në ballkon kam vërejtur se mbi veturën time ka rënë me shpejtësi të madhe një plumb, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në veturë, meqë plumbi ka depërtuar edhe në motor të veturës”, sqaroi Sabedini.

Sipas tij, plumbi ka ardhur nga të shtënat e pakontrolluara nga një dasmë dhe dasmorët e pandërgjegjshëm. “Isha i trishtuar nga kjo skenë sepse isha pak metra larg me fëmijët. Kam ftuar policinë dhe jam shumë i interesuar që rasti të zbardhet, në mënyrë që të parandalohen raste tjera”, tha ai.

Sipas Ismet Hashanit, zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan, kjo ka ndodhur të premten rreth orës 12 e 30 minuta, në rrugën “Abdulla Presheva”.

“Pavarësisht që kjo predhë ka mundur të vijë pa ndonjë qëllim të caktuar, ne u bëjmë apel të gjithë dasmorëve dhe familjeve që organizojnë ahengje e ndeja, që të kenë kujdes maksimal sepse ligji parasheh sanksione për këto raste”, tha zëdhënësi policor Hashani.


Etiketa:

Bëni një koment