Greqi, vetëdorëzohet Kristos Papas, shqiptari i Agimit të Artë


E diel, 29 Shtator 2013

ATHINË – Është vetëdorëzuar në policinë e Atikës, në Athinë deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas, i cili është me origjinë shqiptare. Ndaj tij ditën e djeshme ishte lëshuar një urdhër-arresti nga ana e prokurorisë. Papas është vetëdorëzuar në orën 12.00 me orën lokale në Shqipëri.

Kristos Papas njihet në Greqi edhe si “kamzhiku i artë”. Papas ka marrë një taksi ku ka zbritur përpara policisë në Athinë duke u dorëzuar ai ka thirrur, “Jam i lirë. Drejtësia do të triumfoj, rroftë Hrisi Avgi ( Agimi i Artë)”. Në momentin që ka hyrë në ambientet e komisariatit të policisë, ai ka përshëndetur si Hitleri.
Policia greke ka vënë në pranga kreun e partisë ekstreme Agimi i Artë, 56-vjeçarin, Nikos Mihaloliakos dhe disa deputetë të këtij subjekti politik.

Ndaj partisë neonaziste, prokuroria greke ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste ndërsa ende nuk janë ekzektuar të gjithë. Deri më tani janë të arrestuar 20 persona.

KUSH ËSHTË KRISTOS PAPAS

Kristo Papa lindi në vitin 1962 në Athinë, ai është i pagëzuar me emrin e gjyshit që ishte prift, origjina e tij është nga fshati Lipa që i përket zonës së Lakka të Sulit, krahinë që historikisht është banuar dhe banohet nga arvanitas ose grekë me origjinë shqiptare.

Fshati Lipa, nga është origjina e vërtetë e familjes Kristo Papa, është themeluar si fshat midis shek. 16-17 nga suljotët dhe ndodhet 51 km larg qytetit të Janinës. Lipa ka rreth 50 banorë sot dhe i përket komunës së Sellon të Bashkisë së Janinës. Ka një kala të vjetër dhe një kishë.
Në vitin 1997 Kristo Papa bashkë me familjen rikthehet në Janinë ku hapi një biznes për shitjen e mobilieve COCO-MAT. Është babai i tre fëmijëve.