Grupet Parlamentare janë deklaruar rreth rrëzimit të Qeverisë


E mërkurë, 10 Maj 2017

Prishtinë – Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se mocioni i mosbesimit, është një pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese.

“Është një tendencë që keqpërdorimet të cilat janë krijuar nga qeveritë e kaluara ti mveshen kësaj qeverie. Kjo sjellje është e papranueshme. Përmes mocionit po tentohet destabilizimi i vendit dhe krijimi i vakuumit institucional e po ashtu fshehja e aferave të dëmshme politike”, ka thënë Mustafa.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se lidhur me mocionin deputetët e PDK-së do të votojnë në përputhje me vullnetin qytetarë.

Pajaziti tha se sukseset që i përmendi Mustafa lidhur me sigurinë, Policinë e sportin janë suksese që pikënisjen e kanë vite më parë.

Shefi i GP-së të PDK tha se ka pasur ngecje evidente në vend gjatë këtij mandati qeverisës.

Ai tha se ka pasur ngecje sa i përket formimit të ushtrisë, liberalizimit të vizave etj.

Pajaziti tha se PDK ka pasur përpjekje të vazhdueshme për marrëveshje dhe koordinim me partnerin e koalicionit për marrjen e vendimeve lidhjet me çështjet me rëndësi të vendit, por nuk kanë arritur.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se ngritja e mocionit është e drejtë kushtetuese, dhe si të tillë ne si LDK e marrim me qetësin më të madhe.

Beqiri theksoi se fuqia opozitare në Kuvend është prej 30 deputetëve, duke shtuar se mocioni është i bazuar në të pavërteta dhe se deputetët e LDK-së do ta votojnë kundër.

“Nëse qëndrimi i lihet deputetëve që të respektohet vullneti i qytetarëve kjo bie në ndesh me marrëveshjen e koalicionit”, tha Beqiri.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Galuk Konjufca, ka thënë se deputetët e kësaj partie do të votojnë pro mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës. Konjufca ka thënë se Isa Mustafa erdhi në pushtet duke thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë kriminel.

“Ishte qeveri e kapjes së shtetit dhe qeveri e marrëveshjes së Rashkës. Kjo ishte qeveri e kalni pronto, qeveri e shkatërrimit të shëndetësisë, qeveri e bizneseve e pushtetarëve, qeveri që edhe krundet t’i shet për miell. Këtë qeveri nuk ka nevojë fare ta rrëzosh sepse kjo do ta rrëzoj vetveten”,tha Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj gjatë adresimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se dashtë Zoti që Isa Mustafa të mos kthehet më në Kuvend.

Ai tha se qytetarët e vendit e kanë humbur edhe shpresën e fundit se në këtë vend mund të bëhet diçka. “Kjo qeveri ka qenë ndër më të dobëtat”, tha Lekaj, duke shtuar se do të përkrahim fuqishëm mocionin e mosbesimit.

Etiketa: , , ,
Të fundit