Guardiola flet për gjenocidin në Gaza dhe padrejtësitë globale: Ky është problemi ynë!


Çarşamba, Şubat 4th 2026
Guardiola flet për gjenocidin në Gaza dhe padrejtësitë globale: Ky është problemi ynë!

“Gjenocidi në Palestinë, ajo që ndodhi në Ukrainë, në Rusi, në Sudan, kudo. Ky është problemi ynë si qenie njerëzore”, tha Guardiola, duke u bërë thirrje njerëzve të flasin kundër padrejtësive.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, tha se vrasja e njerëzve të pafajshëm në mbarë botën e prek thellë dhe u bëri thirrje njerëzve të mos heshtin përballë padrejtësisë, duke folur në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës së Ligës (Carabao Cup) kundër Newcastle United.

“Kurdoherë në historinë njerëzore nuk i kemi pasur gjërat kaq qartë para syve tanë”, tha Guardiola. “Gjenocidi në Palestinë, ajo që ndodhi në Ukrainë, në Rusi, në Sudan, kudo. Ky është problemi ynë si qenie njerëzore”.

Trajneri 55-vjeçar tha se çështja shkon përtej politikës apo marrjes së anëve, duke theksuar se mbrojtja e jetës njerëzore duhet të vijë e para.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Palestinën. Bëhet fjalë për çdo kauzë që mund ta bëjë njerëzimin më të mirë”, tha ai. “Njerëzit që ikin nga luftërat, që lënë vendet e tyre, që kalojnë Mesdheun, mos pyesni nëse është e drejtë apo e gabuar. Shpëtojini. Kur njerëzit po vdesin, duhet t’i ndihmosh”.

Duke kritikuar të shtënat vdekjeprurëse ndaj Renee Good dhe Alex Pretti nga autoritetet federale në Minneapolis muajin e kaluar, Guardiola tha se incidenti ilustron nevojën për të folur kundër padrejtësisë.

“Shikoni çfarë ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Renee Good dhe Alex Pretti u vranë”, tha ai, duke i quajtur vdekjet të pajustifikueshme dhe duke vënë në pikëpyetje se si mund të mbrohen akte të tilla. “Nëse diçka është e gabuar, shko në gjykatë, padit, shko në burg. Kjo është shoqëria moderne”, shtoi ai.

Guardiola tha se është e dhimbshme të shohësh pamje të civilëve që vuajnë pavarësisht progresit modern teknologjik dhe shoqëror.

“Mund të arrijmë në Hënë, mund të bëjmë gjëra të pabesueshme, por ende vrasim njëri-tjetrin. Kur i shoh ato pamje, më dhemb. Kur mijëra njerëz të pafajshëm vriten, më dhemb. Unë gjithmonë do të ngrihem kundër kësaj. Kur sheh baballarë, nëna, fëmijë që u shkatërrohen jetët çdo ditë, si mund të mos ndjesh diçka? Unë e ndiej”, tha ai.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit