E enjte, 17 Shtator 2015
Komisari evropian për zgjerim Johannes Hahn ka deklaruar sot se nuk mund të lejohet që vendet e Ballkanit Perëndimor vetë të luftojnë me valën e refugjatëve, duke tërhequr vërejtjen për rrezikun nga shfaqja e “perdeve të padukshme të hekurta” në Evropë.
Ai ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor pa fajin e tyre janë gjendur në një situatë të rëndë për shkak të numrit të madh të refugjatëve që arritën në territorin e tyre.
“Tash kemi problem në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, kurse nesër ndoshta do të kemi kur përmes Kroacisë do të nisen drejt Sllovenisë apo Austrisë”, ka thënë euro-komisari.
Hahn ka shtuar se kurrsesi s’duhet lejuar që refugjatët të gjenden të ngujuar në vendet e rajonit dhe kërkoi që menjëherë t’u ndihmohet në zgjidhjen e krizës.
“Dua të shoh stabilizim dhe përparim të mëtejshëm, e kurrsesi ngarkesa të reja në rajon”, ka theksuar Hahn.
Etiketa: Ballkani, Johannes Hahn