Haradinaj e quan të korruptuar Gjykatën Speciale


E premte, 18 Dhjetor 2020

HAGË – Nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj në seancën e parë para Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ka thënë se kjo gjykatë është politike, selektive dhe e njëanshme.

Haradinaj theksoi se është e pakuptimtë që ata të përgjigjen për sekretet që u dolën kësaj gjykate.

“Ne duhet të përgjigjemi se përse u dolën sekretet e tyre. Ato nuk ishin një e dy fletë, por me mijëra faqe. OVL nuk ka pasur qasje e as nuk ka dhe nuk mund të fajësohet për nxjerrjen e këtyre dokumenteve nga sirtarët”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se në vendin e tij do të duhej të ishin kolegët e kësaj gjykate.

“Në vendin tim, ku jam ulur duhej të ishin koleget të kësaj gjykate. Mohimi i faktit duke anashkaluar se kush i nxori këto dokumente nga sirtarët, dhe kush i solli në selinë tonë dhe tani për këtë ne të mbajmë përgjegjësinë është çmenduri dhe aspak drejtësi. Kjo gjykatë është politike, selektive, dhe e njëanshme dhe po bindem se është edhe e korruptuar sepse ndryshe nuk do t’u dilte i tërë ai material nga zyrat e tyre”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se kjo gjykatë po mundohet të njollosë luftën e UÇK-së dhe luftëtarëve të saj dhe të dënoj përfaqësuesit e këtyre luftëtarëve, njofton Telegrafi.

Haradinaj nuk u vetë deklarua për fajësinë ose pafajësinë e tij, duke thënë se këtë tash e tutje do ta bëjë përmes avokatit të tij.

Etiketa: , , , ,
Të fundit