Haradinaj: S’ka marrëveshje me Vetëvendosjen


E mërkurë, 16 Korrik 2014

Haradinaj Prizren Post

Kandidati i koalicionit LDK-AAK-Nisma për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se tashmë është e vështirë arritja e një marrëveshje me Vetëvendosjen për seancën e nesërme, por beson se mund të ketë vend për komunikim pas konstituivit të Kuvendit për etapat tjera të ndërtimit të institucioneve të vendit.

Këto qëndrime, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka shprehur pas takimit që ka pasur me Këshillin Drejtues të AAK-së, ku kanë biseduar për të gjitha etapat politike në vend, e të cilët edhe i kanë dhënë miratim mandatimit të tij me tutje në procedurat që priten për formimin e qeverisë së vendit në përputhje me marrëveshjen e koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Ai është shprehur se marrëveshja me Vetëvendosjen është vështirë për seancën e nesërme, por që mund të vazhdoj pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së re të Kuvendit.

“Sa i përket seancës për nesër vështirë të besojmë se mund të ndryshojmë gjendjen, mirëpo ekziston mundësia e komunikimit të mëtejme, sepse priten edhe etapa tjera të ndërtimit të institucioneve. Nesër është vetëm zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, pra mund të ndodh të krijohet mundësia e komunikimit prapë. Unë kisha mbrëmë një konsultë me kryetarin Mustafa dhe Limaj për si të vazhdojmë, por po shihet se tash duhet të fokusohemi në përgatitjet për seancë, pra nuk mund t’i vazhdojmë konsultat që ishin më herët”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin se shkak i mos arritjes së marrëveshjes ka qenë një aneks dokument që VV-ja ua ka dërguar më herët. Ndërsa, theksoi se edhe pse kanë pasur dallime me VV-në, ai ka provuar të bëjë diçka, duke pranuar një dokument me parime bazë, por duke ruajtur mendimin e ndarë.

E, duke i parë tensionet e krijuara, Haradinaj ka bërë thirrje që seanca e nesërme të zhvillohet në mënyrë demokratike, pasi sipas tij, trimërinë e kanë treguar kur ka qenë koha, në mënyrë që sot të zhvillohet një debat demokratik.

“Unë kur u kanë koha e trimërisë, se po dëgjoj që po flasin për muskuj e për gjithçka, kur ka qenë koha e trimërisë ne e kemi kryer atë, kemi bërë shumë mund për ta aplikuar demokracinë në vend. Thirrja ime është për një sjellje demokratike, për një kulturë demokratike, ia kemi borxh vendit edhe sjellja ime do të jetë e këtillë, edhe të AAK-së po se po, por edhe të grupit parlamentar LDK-AAK-Nisma, ashtu siç është deklaruar Mustafa e Limaj, një kulturë demokratike në Kuvend”, tha Haradinaj.

Megjithatë, i mandaturi për kryeministër shprehet optimist se nesër do ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit nga radhët e koalicionit LDK-AAK-Nisma, pasi ata janë grupi me i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, me 47 deputetë të zgjedhur, ku sipas tij, këtë e ka vlerësuar edhe Kryesia e vjetër e Kuvendit, që ka bërë gati rendin e ditës për nesër.

Por, Haradinaj mendon se nuk ka nevojë për shkuarje në Gjykatën Kushtetuese, derisa, sipas tij, presidentja e vendit nuk mund të përzihet në këtë çështje.

“Nuk po prejudikojmë tepër, unë po mendoj që gjithçka është e gatshme, për një seancë të rregullt në Kuvend. Ekziston rendi i ditës, ekzistojnë temat e rendit të ditës, në temën zgjedhjes së kryeparlamentarit…Presidentja nuk ka drejt të ndërhyjë tash, në këtë etapë. Zgjedhja e kryeparlamentarit nuk është me mandatim, është e shkuar në Kushtetutë, edhe është e bazuar në rregulloren e Kuvendit, munden 40 deputetë me ngrit çështjen në aspekte të tilla kushtetuese, por jo presidentja, pra ajo nuk është palë në këtë rast”, tha ai.

Haradinaj tha se nuk ka zgjedhje të parakohshme, pasi gatishmëria e të gjithëve në Kosovë është për t’i ndërtuar institucionet.

Ndërsa, sa i përket votës së minoriteteve, Haradinaj tha se ata besojnë fuqishëm që komunitetet etnike do të votojnë nesër, pasi është edhe në interesin e tyre, por edhe të Kosovës./rtk/

Të fundit