Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Haziri: Pa përfshirjen e opozitës dialogu do të dështojë

Prizren Post | 14:46 - 28.06.2018

Gjilan – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë sot se pa LDK-në dhe pa forcat tjera politike procesi i dialogut do të dështojë.

Haziri në një intervistë për Evropën e Lirë ka folur për takimin e së dielës ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, duke thënë se ishte një rifillim i një procesi të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që në fakt e konfirmon atë mossukses në këto vitet e fundit.

“…Po ashtu, ky rifillim i ri nuk është premtues shumë për faktin se nuk arritën tri kriteret që LDK-ja i parashtroi kur bëhet fjalë për kriteret udhëheqëse të bisedimeve:ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik në Kuvend, i cili do të dilte nga një debat i partive politike dhe, natyrisht, edhe një proces, i cili do të jetë i hapur dhe transparent për qytetarët dhe në mënyrë që një marrëveshje obliguese që pritet të dalë, ta ketë mbështetjen e shumicës politike në Republikën e Kosovës”, tha Haziri.

Sipas tij, pa LDK-në dhe pa forcat politike në Kuvendin e Republikës, ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm.

Ai tha se nuk beson që procesi i normalizimit që çon drejt pajtimit arrihet me këtë fazë të bisedimeve.

“Sido që të jetë, ne i kemi të qarta tri propozimet, apo tri kriteret që i ka vendosur LDK-ja, pa të cilat nuk ka alternativë që mund të zëvendësohen. Ne presim një debat parlamentar që e përcakton formatin, pra kush është përfaqësuesi apo kush janë përfaqësuesit që përcaktojnë kriteret e bisedimeve apo i konfirmon kriteret nëse mund të themi tash, të bëhen transparent për publikun. Natyrisht, sa më i hapur procesi në këtë nivel që është, Kuvendi dhe roli i tij kushtetues do t’i jepte fuqi absolute, edhe delegacionit, edhe bisedimeve, dhe një marrëveshjeje eventuale, e cila pritet të ndodhë nga palët”, tha Haziri.

Ai tha se presidenti Thaçi po e shfrytëzon mekanizmin kushtetues dhe ky mekanizëm kushtetues i jep legalitet.

“…Por, ne po flasim për një legjitimitet, i cili do të ndërtonte konsensus politik brenda partive. Faktikisht, ky mekanizëm është aktivizuar në raundin e parë apo takimin e parë të bisedimeve, por që edhe më tutje edhe si nevojë e oksigjenit politik domosdo do të ishte që të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik dhe një Kuvend i Republikës, i cili mund, dhe duhet të ketë rol kushtetues, rol mbikëqyrës në këtë proces dhe në fund e merr edhe ratifikimin edhe vulosjen e këtij procesi. Në të kundërtën, pa LDK-në dhe pa partitë opozitare, procesi është i destinuar të dështojë”, u shpreh ai.


Etiketa:
Arivisti Company