Hoti: Vetëm qeveria e drejtuar nga LDK e zhvillon sektorin privat


E shtunë, 9 Janar 2021

PRIZREN – Gjatë takimit të sotëm me afaristët e Prizrenit, kryeministri i shkarkuar Avdullah Hoti ka thënë se vetëm qeveria e drejtuar nga LDK e zhvillon sektorin privat.

“Vetëm qeveria e drejtuar nga LDK e zhvillon sektorin privat”, ka thënë Avdullah Hoti gjatë takimit me afaristë të Prizrenit.

“Ju duhet të jeni të sigurt që keni para vetes një qeveri që nuk i ndërron politikat e veta çdo natë, nuk iu bie bizneseve në qafë dhe mbi të gjitha është qeveri e qendrës së djathtë që nënkupton se e mbështetë biznesin privat. Kur ndërtohet buxheti i shtetit 2 miliardë e 3 miliardë, ndërtohen instrumente që e mbështesin sektorin privat, e jo me e pa sektorin privat si një hambar ku vetëm merr dhe përmbushë apetitet tjera elektorale ose apetitet politike. Është jetike për Kosovën që të ruhet kursi i politikave ekonomike të djathta, pasi vetëm në këtë mënyrë zhvillohet sektori privat. Ne nuk guxojmë të kthehemi prapa”, tha Hoti derisa prezantoi para afaristëve prizrenas arritjet e qeverisë së drejtuar prej tij për rimëkëmbjen ekonomike gjatë fazës së vështirë të pandemisë.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, kërkoi nga bizneset vendore që të përgatiten për bashkëpunim me kompanitë amerikane, të cilat tha se do të investojnë rreth 1 miliard dollar gjatë 4 viteve të ardhshme, si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, dhe krejt kjo për qëllime politike. E vërteta është se Marrëveshja e Uashingtonit, e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Katër vitet e ardhshme i sjellin Kosovës rreth 1 miliard dollar nga kompanitë amerikane në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe ju duhet të përgatiteni për këto projekte, siç janë hekurudha nga Durrësi në Prishtinë si dhe autostrada”, tha Hoti.

Duke u ndalur te veprimet konkrete, që synon të bëjë qeveria e drejtuar nga LDK, Hoti tha se do të hartohet një pako e re fiskale që ka synim krijimin e shumë lehtësirave të tjera për të bërit biznes në Kosovë.

Hoti tha se në planin qeverisë janë paraparë ndërtimi i rrugës për Prevallë, diga ne Vërmicë si pjesë e planeve për menaxhimin e ujërave si dhe krijimi i një ligji për të mbrojtur prodhimet artizanale.

Gjatë takimit të pranishëm ishin zv/kryeministri Selmanaj, ministrat Hykmete Bajrami, Besian Mustafa dhe Anton Quni, dhe anëtari i Kryesisë, Lumir Abdixhiku.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit