Hoxha: Prokuroria e kapur, bashkëpunon me kriminelët


E premte, 25 Nëntor 2016

ylli-hoxha

Prishtinë – Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se institucionet shtetërore janë jokredibile për të zbardhur të vërtetën e vdekjes në burg të aktivistit Astrit Dehari.

“Ne insistojmë që t’u ndërprehet rruga njerëzve të komprometuar, e t’u hapet rruga njerëzve të tjerë të pavarur me kërkesë të familjes që të vazhdojnë me hetimet. Pati deputetë që dhanë nënshkrimet, por më pas me presion i tërhoqën nënshkrimet dhe nuk u mbajt seanca. Më askush nuk u beson organeve të shtetit, dhe për ta sanuar këtë gjendje duhet të ndërmarrim hapat urgjent; që të ndërpriten hetimet e Sylë Hoxhës dhe Sylë Hoxhave të tjerë. Të thirret një ekip hetues tjetër që ka kredibilitet dhe që i beson Familja Dehari dhe të hetohet zinxhiri udhëheqës për mënyrën skandaloze të hetimeve deri tani”.

Ai ka deklaruar se kjo është pasojë e kapjes që i ka bërë shtetit Klani Pronto, në të gjitha sferat, përfshirë edhe gjyqësorin, njofton Klan Kosova.

“Unë nuk mendoj se Lidhja Demoraktike e Kosovës është fajtor kryesor, por vetëm pengesë deri tek ai. Sepse mendoj që Klani Pronto qëndron prapa këtyre ngjarjeve. Kapja e shtetit quhet percepsion, por kështu mendon edhe Këshilli i Europës, që e konsideron krejtësisht të dështuar sistemin e drejtësisë. Arsyeja pse nuk ka hetime serioze për asnjë rast është sepse kemi prokurori të kapur. Sepse prokurorët bashkëpunojnë me kriminelët. Prandaj edhe aktivistët e Vetëvendosjes mbahen në burgje janë pengje politike”.

“Astrit Dehari ka qenë mik i mirë i shumë aktivistëve të Vetëvendosjes. Ndaj nuk mund të pyetet pse ata kanë qenë në vizita tek ai. Në lidhje me këtë rast ne kemi qenë shumë të matur. Vazhdimisht kemi bërë kërkesa institucionale, në mënyrë që të merret vet e vërteta për këtë cështje. Por institucionet e vendit nuk janë kredibile për ta zgjidhur këtë cështje, sepse kanë dalur xhirimet e burgut, ditari i Astritit”.