Hoxha telefonatë me kryediplomaten e ardhshme hungareze, vlerëson mbështetjen për eurointegrimin e Shqipërisë


E premte, 17 Prill 2026
Hoxha telefonatë me kryediplomaten e ardhshme hungareze, vlerëson mbështetjen për eurointegrimin e Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike të Hungarisë për Shqipërinë dhe procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, Hoxha njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike “të ngrohtë dhe produktive” me Anita Orban, ministren e ardhshme të Punëve të Jashtme të Hungarisë.

Ai theksoi se gjatë bisedës ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Hungarisë ndaj Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sipas Hoxhës, të dy palët kanë rënë dakord për rëndësinë e forcimit të dialogut politik përmes rritjes së shkëmbimeve në nivel të lartë, zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, promovimit të investimeve dhe thellimit të bashkëpunimit në sektorë kyç me interes të përbashkët.

Ai shtoi se gjatë bisedës u shkëmbyen mendime edhe për nevojën e koordinimit më të ngushtë në adresimin e sfidave aktuale evropiane dhe rajonale.

Ministri i jashtëm shqiptar ka mirëpritur angazhimin e homologes së ardhshme hungareze dhe la shprehur besimin për bashkëpunim edhe më të afërt në të ardhmen, me qëllim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, kontributin për stabilitetin dhe zhvillimin, si dhe përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe perspektivën evropiane të rajonit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit