Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Hoxhaj nuk i shkon në takim Albin Kurtit

Prizren Post | 15:33 - 21.05.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti.

Letrën që e ka siguruar Telegrafi, Hoxhaj kërkon transparencë dhe debat në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit ‘çështje madhore’ i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirë informuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo ‘çështje madhore’, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndryshe, të enjten kryeministri Albin Kurti i’u dërgoi ftesë tre liderëve opozitarë, siç thuhej për bashkërendim të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës.

Ftesën e kanë konfirmuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional, përfshirë dialogun, do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë, thuhet në një komunikatë për media.


Etiketa:

Bëni një koment